Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se Ligji për Dhomat e Specializuara, do të rishqyrtohet në Kuvend brenda katër javësh.
Çitaku bën të ditur se PDK-ja do t’i qëndrojë zotimit për jetësimin e këtij ligji, duke theksuar se rikthimi i tij në Kuvend nuk nënkupton tërheqje nga nisma dhe as zbehje të qëndrimit të partisë.

Ajo ka bërë të ditur se si sponsorizuese e nismës, PDK-ja i ka dhënë procesit edhe katër javë kohë, me qëllim të adresimit të pikëpyetjeve të ngritura dhe forcimit të bazës juridike të ligjit.
“Për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura, si sponsorizues i dham procesit edhe katër javë kohë. Qëllimi është një dhe i vetëm: të hiqet çdo mëdyshje, të forcohet baza juridike e ligjit dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se brenda PDK-së ekziston unitet për këtë çështje, duke shtuar se partia mbetet e vendosur për ta çuar nismën deri në fund.
“Për PDK-në dhe brenda PDK-së, nuk ka asnjë temë tjetër përveç jetësimit të këtij ligji, për të cilin jemi plotësisht të bashkuar dhe të vendosur”, ka thënë ajo.
Çitaku u është drejtuar edhe qytetarëve që protestuan dhe mbështetësve të kësaj nisme, duke u siguruar se zotimi i dhënë do të mbahet.
“Qytetarëve që protestuan, mbështetësve tanë dhe të gjithë atyre që besuan në këtë nismë u them: zotimi që kemi marrë para jush qëndron. Dhe këtë do ta çojmë deri në fund!”, ka shkruar Çitaku.
Burimi: Dukagjini




