Vendimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), që nxënësit t’i kthejnë librat shkollorë në fund të vitit mësimor në gjendje të padëmtuar, ndërsa në rast dëmtimi prindërit të paguajnë për to nga xhepi i tyre, po shkakton pakënaqësi te prindërit.

Edhe pse ministria e ka arsyetuar këtë vendim si masë për të parandaluar shitjen e teksteve shkollore në tregun e zi dhe për të mundësuar ripërdorimin e tyre, prindërit po e kundërshtojnë obligimin e ri, duke ngritur shqetësime për cilësinë e librave dhe përgjegjësinë që po u bartet familjeve.
Në redaksinë e Gazetës Insajderi kanë arritur disa ankesa nga prindër që kundërshtojnë kërkesën e MAShTI-t për kthimin e teksteve shkollore në fund të vitit mësimor.
Në njërën prej këtyre ankesave, një prind i shkollës fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë ka bërë të ditur se ka vendosur të mos e nënshkruajë deklaratën e kërkuar nga shkolla.
Përmes dokumentit të titulluar “Deklarata e prindit/kujdestarit ligjor”, MAShTI kërkon zotim me shkrim se librat e destinuar për ripërdorim do të kthehen në fund të vitit shkollor në gjendje të rregullt.
Por, prindi i një nxënësi të klasës së katërt, në vend të nënshkrimit, ka shënuar me dorë arsyet pse nuk pranon ta marrë këtë përgjegjësi.
“Nuk e nënshkruaj këtë për arsyet: Është bërë pa konsultim paraprak me prindërit. Nuk mund të garantoj që librat nuk dëmtohen, cilësia e librave është shumë e dobët. Kjo kufizon përdorshmërinë e librave. Është jo e dinjitetshme, të mësohet me libra të përdorur më parë”, ka shkruar ai.
Shqetësimet e prindërve lidhen edhe me përgjegjësinë financiare që mund t’u ngarkohet familjeve në rast të dëmtimit të teksteve, me cilësinë e materialeve të përdorura për shtypjen e tyre dhe me mënyrën se si do të vlerësohet gjendja e librave në fund të vitit shkollor.
Kjo pakënaqësi vjen edhe pas ankesave të mëhershme, kur kthimi i librave iu kërkua madje edhe familjeve që nuk i kishin përfituar fare mjetet e subvencionimit nga shteti.
Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje Ministrisë së Arsimit për të kuptuar se çfarë masash do të ndërmerren ndaj prindërve që refuzojnë ta nënshkruajnë deklaratën ose nuk i kthejnë librat në fund të vitit shkollor.
Insajderi ka kërkuar sqarime edhe nëse nxënësit mund të përballen me ndonjë penalizim për shkak të refuzimit të prindërve dhe si do të vlerësohet shkalla e dëmtimit të teksteve shkollore.
Megjithatë, deri në publikimin e këtij shkrimi, MAShTI nuk ka kthyer përgjigje.
Çfarë parasheh udhëzimi administrativ i MAShTI-t?
Për vitin shkollor 2026/2027, Ministria e Arsimit u ka rikujtuar prindërve dhe kujdestarëve ligjorë se tekstet dhe materialet shkollore të subvencionuara për nxënësit e klasave 1–9 duhet të ruhen me kujdes dhe të kthehen në shkollë në përfundim të vitit mësimor.
Në njoftimin e saj, MAShTI i është referuar Udhëzimit Administrativ nr. 13/2016 për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, përdorimin dhe ruajtjen e tyre, si dhe Deklaratës së prindit/kujdestarit ligjor përfitues të subvencionimit për vitin 2026/2027.
Sipas Ministrisë, nxënësit dhe prindërit kanë përgjegjësi për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e teksteve shkollore bazë, në mënyrë që ato të kthehen në gjendje të përshtatshme për ripërdorim nga gjeneratat e ardhshme.
Dorëzimi i librave duhet të bëhet te kujdestari i klasës, në përfundim të vitit mësimor.
Në të njëjtin njoftim, Ministria kishte bërë të ditur se Inspektorati i Arsimit do të niste vizitat në shkolla për të verifikuar nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore dhe nëse mjetet e subvencionimit janë përdorur për blerjen e tyre./Insajderi
Burimi: Insajderi





