Këngëtari amerikan Chris Brown është dënuar me tetë muaj burg, por dënimi i është pezulluar për një vit, për një incident të ndodhur në maj të vitit 2023 në një klub nate në Mayfair të Londrës.

Brown, 37 vjeç, në korrik u deklarua fajtor për veprën penale të përfshirjes në një përleshje të dhunshme.
Viktima, producenti muzikor Abe Diaw, kishte pasur nevojë për trajtim spitalor për lëndime në kokë dhe në gju. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë Brown duke e goditur Diaw në kokë me një shishe qelqi, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv
Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtari Tony Baumgartner tha se përdorimi i përsëritur i shishes ishte “qartazi i rrezikshëm”.
Duke iu referuar incidentit, gjyqtari pranoi se ngjarja kishte zgjatur pak, por theksoi se ajo kishte qenë gjithashtu “intensive”.
Më herët, avokatët mbrojtës e kishin cilësuar incidentin si të shëmtuar dhe të papëlqyeshëm, duke shtuar se ai kishte zgjatur shumë pak.
Ndërkohë, bashkëpandehuri i Brownit dhe trajneri i tij vokal, 40-vjeçari Omololu Akinlolu, është dënuar me katër muaj burg, dënim që gjithashtu i është pezulluar për një vit.




