Çfarë dinë shërbimet sekrete amerikane për të dashurën e shefit të NVIDIA-s?

Çfarë dinë shërbimet sekrete amerikane për të dashurën e shefit të NVIDIA-s?

Çfarë dinë shërbimet sekrete amerikane për të dashurën e shefit të NVIDIA-s?

Vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së, një pyetje kyçe vazhdon të mbetet pa përgjigje: A ishte gruaja me të cilën Huang kishte një lidhje jashtëmartesore spiune kineze?

Sponsor 3M Express

Zyrtarë të lartë amerikanë të sigurisë kombëtare, përfshirë përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë, FBI-së dhe CIA-s, kanë diskutuar ditët e fundit nëse Alice Huang, ish-drejtuese në një prej kompanive të mëdha që blinte produkte të Nvidia-s, ka punuar për shërbimin kryesor të inteligjencës kineze apo i ka përcjellë atij informacione.

Këtë e kanë bërë të ditur pesë persona të njohur me çështjen, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti, shkruan reuters.

Shtetet e Bashkuara kanë mbledhur informacione të inteligjencës për Alice Huang dhe kontaktet e saj me persona të lidhur me Ministrinë kineze të Sigurisë së Shtetit. Sipas dy burimeve të njohura me këto të dhëna, informacionet janë përfshirë prej muajsh në raportet e disa agjencive amerikane, përfshirë CIA-n.

Zyrtarët kryesorë, mes tyre përfaqësues të FBI-së, CIA-s dhe Marco Rubio, këshilltar i Trumpit për sigurinë kombëtare dhe sekretar i Shtetit, pajtohen për faktet themelore, por kanë interpretime të ndryshme për domethënien e informacioneve të mbledhura.

Këto dallime nuk ishin shqyrtuar zyrtarisht dhe as diskutuar brenda administratës para se Huang të largohej nga Nvidia, sipas burimeve.

Interpretimi i këtyre të dhënave është i rëndësishëm për të kuptuar vendimin e Trumpit për të mbështetur rikthimin e Huangut në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s. Informacionet e inteligjencës mund të bëhen gjithashtu element kyç në çdo hetim të Kongresit për kompaninë dhe veprimet e presidentit.

Megjithatë, Reuters nuk ka arritur të sigurojë hollësi për përmbajtjen e raporteve sekrete.

Vlerësimet e FBI-së dhe CIA-s për përfshirjen e Alice Huang

FBI-ja, e cila është përgjegjëse për hetimet kundër spiunazhit, ka vlerësuar në informimet e fundit se të dhënat e inteligjencës amerikane nuk tregojnë se Alice Huang ishte pjesëtare apo bashkëpunëtore e shërbimit sekret kinez, kanë thënë dy persona të njohur me këto informacione.

Qëndrimi i CIA-s është më i nuancuar. Sipas burimeve, agjencia konsideron se raportet nuk dëshmojnë qartë se ajo kishte në posedim informacione të ndjeshme për sigurinë kombëtare apo se ia kishte përcjellë ato Kinës. Megjithatë, CIA nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të shfaqen prova të reja.

Disa zyrtarë besojnë se kontaktet e Alice Huang me inteligjencën kineze tregojnë se ajo ka bashkëpunuar me Pekinin, edhe nëse informacionet amerikane nuk dëshmojnë se ka përcjellë të dhëna.

Në një memorandum konfidencial të shkruar nga Rubio në fillim të këtij viti thuhet se Ministria kineze e Sigurisë së Shtetit (MSS) e kishte rekrutuar Huangun, potencialisht si bashkëpunëtore të inteligjencës. Kjo ishte raportuar më herët nga New York Times.

Raportet e inteligjencës janë mbajtur në konfidencialitet të rreptë brenda komunitetit të inteligjencës dhe mes anëtarëve të kabinetit. Ato nuk i janë shpërndarë Kongresit.

Shtëpia e Bardhë, CIA, FBI dhe Departamenti i Shtetit kanë refuzuar të komentojnë çështjen.

Jensen Huang ka pranuar se ka qenë i pabesë ndaj bashkëshortes dhe ka kërkuar falje, por nuk ka folur publikisht në detaje për lidhjet e pretenduara. Kina ka hedhur poshtë akuzat për spiunazh, ndërsa Reuters nuk ka arritur të kontaktojë Alice Huang.

Informacionet e inteligjencës nuk janë shpërndarë gjerësisht

Interpretimet e ndryshme të të dhënave të inteligjencës amerikane nxjerrin në pah një problem për administratën Trump, për të cilin kanë paralajmëruar zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës: informacionet konfidenciale po shpërndahen dhe shqyrtohen në një masë shumë më të vogël brenda komunitetit të inteligjencës.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i cili që nga fillimi i mandatit të Trumpit ka pësuar shkurtime të konsiderueshme të personelit, tradicionalisht organizonte takime ku zyrtarë të agjencive të ndryshme analizonin dhe diskutonin të dhënat e inteligjencës për çështje të ndjeshme. Megjithatë, takime të tilla tani mbahen më rrallë sesa gjatë administratave të mëparshme.

Sipas dy burimeve, Këshilli nuk ka organizuar takime në nivel ministror mes zyrtarëve të agjencive të ndryshme për çështjen e Alice Huang dhe Nvidia-s.

Pasojë e shpërndarjes më të kufizuar të informacioneve mund të jetë shqyrtimi dhe verifikimi i pamjaftueshëm i tyre para se të arrijnë te vendimmarrësit politikë, raportoi më herët Reuters.

Analiza e CIA-s tregon se Alice Huang, shtetase kineze, kishte kontakte me shërbimin sekret të Kinës, pasi ligji kinez i obligon qytetarët të bashkëpunojnë me autoritetet e inteligjencës së vendit.

Një nga burimet tha se raportet e CIA-s për këtë rast janë përqendruar kryesisht në rolin që Alice Huang kishte pasur te ish-punëdhënësi i saj, kompania Megaspeed, dhe në ridrejtimin e çipave amerikanë drejt Kinës.

Shumë zyrtarë konsiderojnë se këto veprime përbëjnë kërcënim më të madh për sigurinë kombëtare sesa lidhja jashtëmartesore e drejtuesit të Nvidia-s.

Megaspeed ka deklaruar se operon në mënyrë legjitime dhe në përputhje me ligjin, përfshirë respektimin e kontrolleve amerikane për eksportet.

Interpretime të kundërta brenda administratës amerikane

Kur drejtuesit e Nvidia-s e larguan Huangun nga detyra në fillim të këtij muaji, zyrtarët e administratës publikuan deklarata që dukeshin në kundërshtim me raportet për memorandumin e Rubios.

Nënpresidenti JD Vance dhe Trumpi, të cilët të dy kishin folur pozitivisht për drejtuesin e Nvidia-s, deklaruan pas një bisede me prokurorin e përgjithshëm Todd Blanche se kishin arritur në përfundimin se Huangu nuk përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare.

Ndërkohë, drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, tha se nuk ishte e qartë nëse Alice Huang ishte bashkëpunëtore e shërbimeve sekrete kineze.

Rubio nuk ka folur publikisht për Nvidia-n që kur Huang u rikthye në pozitën e tij.

Kur New York Times publikoi lajmin për memorandumin në fillim të këtij muaji, kjo shkaktoi shqetësim brenda administratës dhe mes drejtuesve të Nvidia-s. Ata ngritën pyetjen nëse Huangu e dinte se kishte pasur një lidhje me një grua që dyshohej se i përcillte informacione Kinës.

Trumpi mblodhi Vance-in, Blanche-in dhe Clayton-in për të diskutuar informacionet e inteligjencës, duke i pyetur nëse drejtori ekzekutiv ishte nën hetim dhe nëse ekzistonte ndonjë kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane.

Blanche i kishte thënë Vance-it se Huangu nuk përbënte kërcënim, siç kishte raportuar më herët Reuters.

Rubio nuk kishte marrë pjesë në këto bisedime dhe rikthimi i Huangut në detyrë e kishte zënë të papërgatitur, sipas njërit prej burimeve.

Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me përfshirjen e Rubios në këto diskutime. /Telegrafi/

Lexo edhe

Publikohet një video e Valdetit dhe Valdrinës ku dëgjohen duke ofenduar njëri-tjetrin

Publikohet një video e Valdetit dhe Valdrinës ku dëgjohen duke ofenduar njëri-tjetrin

Ndalohen pesë persona të dyshuar për ‘’vjedhje të rëndë’’

Ndalohen pesë persona të dyshuar për ‘’vjedhje të rëndë’’

“Janë aludime të atyre që kanë punuar në UDB”, Zemaj i reagon Ramabajës

“Janë aludime të atyre që kanë punuar në UDB”, Zemaj i reagon Ramabajës