Manchester Unitedi po kalon një periudhë të vështirë, pasi nuk ka fituar në tetë ndeshjet e fundit. Humbja ndaj Bournemouthi të dielën e ka lënë skuadrën vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga Premier League.
Në dymbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat këtë sezon, United ka regjistruar vetëm dy fitore. Ndërsa në tetë ndeshjet e para të kampionatit ka marrë shtatë pikë, bilanci më i dobët në këtë fazë të sezonit në dyzet vjetët e fundit.

Pavarësisht presionit dhe spekulimeve për shkarkimin e tij, Carrick ka thënë se është i vendosur ta përmirësojë gjendjen e skuadrës.
“Jam këtu për ta bërë më të mirën për ekipin. Dua me gjithë zemër që ta bëjmë skuadrën më të mirë dhe t’i përmirësojmë gjërat. Prandaj, nuk jam i befasuar që vazhdoj të jem në këtë detyrë”, ka thënë Carrick të enjten.
Ai ka shtuar se nuk ka nevojë për mbështetje publike apo garanci nga pronarët e klubit dhe drejtori i futbollit, Jason Wilcox.
“Nuk kam nevojë për garanci nga askush. E kuptoj pozitën time, punën dhe përgjegjësinë që mbart kjo detyrë”, ka deklaruar trajneri anglez.
Carrick ka mbrojtur edhe kapitenin Bruno Fernandes, i cili nuk ishte në formacionin titullar në humbjen nga Bournemouth. Mesfushori portugez ishte lënë në bankën rezervë pasi kishte kritikuar taktikat e trajnerit pas humbjes katër me një nga Como.
Megjithatë, Carrick ka theksuar se nuk ka probleme me përkushtimin e Fernandes ndaj klubit dhe se ai do të vazhdojë ta udhëheqë skuadrën.
“Bruno është ai që e ka udhëhequr ekipin shumë mirë në shumë ndeshje dhe për shumë vite. Ai do të vazhdojë ta bëjë këtë”, ka thënë Carrick.
Trajneri ka sqaruar se lënia e Fernandes në bankën rezervë kundër Bournemouth ishte vendim taktik për atë ndeshje.
“Bruno është plotësisht i përkushtuar ndaj këtij klubi. Nuk kam asnjë problem me këtë dhe ne vazhdojmë përpara”, ka shtuar ai.
Carrick është pritur me duartrokitje nga një pjesë e tifozëve pas humbjes nga Bournemouth, ndërsa lojtarët janë përballur me vërshëllima kur janë larguar nga fusha.
Ish-kapiteni i United, Gary Neville, ka thënë të enjten se ndonjëherë një trajner duhet të shkarkohet edhe për të mirën e tij.
Carrick kishte marrë kontratë dyvjeçare në maj, pasi si trajner i përkohshëm e kishte udhëhequr skuadrën drejt vendit të tretë në Premier League dhe rikthimit në Champions League.
Tani, ai synon ta kthejë skuadrën në rrugën e fitoreve. Sfidën e radhës Manchester United do ta ketë të shtunën, në udhëtim te Chelsea.
“Djemtë janë të uritur për sukses. Na dhemb fakti që nuk kemi fituar mjaftueshëm ndeshje, por kemi dëshirë dhe vendosmëri për t’i përmirësuar gjërat”, ka thënë Carrick.
Burimi: RTKLive




