Përmes një postimi në Facebook, Brestovci i është drejtuar ministres Pacolli, duke kërkuar sqarime për infrastrukturën e grumbullimit, trajtimit dhe riciklimit të mbeturinave vëllimore dhe atyre ndërtimore.
“Meqenëse keni zgjedhur të mburreni publikisht me gjobën prej 5 mijë eurosh ndaj Drejtorisë së Inspekcionit të Kryeqytetit, të cilën e konsiderojmë të kundërligjshme, merrni guximin t’u përgjigjeni qytetarëve edhe për përgjegjësitë tuaja”, ka shkruar Brestovci.

Ai ka ngritur pyetje për mungesën e hapësirave të autorizuara për pranimin dhe trajtimin e mbeturinave vëllimore, duke kërkuar nga ministrja që t’i bëjë publike lokacionet dhe kapacitetet që janë në dispozicion të qytetarëve.
“Ku janë hapësirat e autorizuara për pranimin dhe trajtimin e mbeturinave vëllimore? Tregojuni qytetarëve ku duhet t’i dërgojnë ato dhe çfarë infrastrukture konkrete ka siguruar Ministria juaj për zgjidhjen e këtij problemi”, thuhet në reagimin e tij.
Brestovci ka kërkuar gjithashtu sqarime për kapacitetet e deponimit dhe riciklimit të mbeturinave ndërtimore, duke theksuar se, nëse ato ekzistojnë, duhet të publikohen vendndodhjet dhe kushtet e pranimit.
Kërkon zgjidhje për grumbullimin e mbeturinave gjatë natës
Një tjetër çështje e ngritur nga drejtori i Inspekcionit ka të bëjë me orarin e pranimit të mbeturinave në deponitë që i shërbejnë kryeqytetit.
“Ministre, shpjegojuni qytetarëve edhe pse deponitë që i shërbejnë Kryeqytetit mbyllin pranimin e mbeturinave në mesnatë, ndërkohë që jeta dhe veprimtaria e bizneseve vazhdojnë edhe pas asaj ore. Si e keni menduar funksionimin e shërbimit të pastrimit gjatë natës?”, ka pyetur Brestovci.
Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës po përpiqet të zvogëlojë shpërndarjen e mbeturinave vëllimore përmes organizimit të pikave të përkohshme të grumbullimit.
Në këtë kontekst, Brestovci i ka kërkuar Ministrisë të propozojë një alternativë konkrete për trajtimin e problemit.
“Nëse e kundërshtoni këtë mënyrë, tregoni zgjidhjen konkrete: ku duhet të dërgohen këto mbeturina sot?”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, drejtori i Inspekcionit ka theksuar se nuk po kërkohet përjashtim nga zbatimi i ligjit, por llogaridhënie edhe nga institucionet përgjegjëse për krijimin e infrastrukturës së nevojshme.
“Askush nuk kërkon përjashtim nga ligji. Por edhe Ministria duhet të japë llogari për përgjegjësitë e veta”, ka deklaruar Brestovci.
Ai e ka përmbyllur reagimin duke thënë se qytetarëve u nevojiten zgjidhje konkrete për menaxhimin e mbeturinave, e jo vetëm njoftime për gjoba.
“Qytetarëve u duhet zgjidhje, Ministre. Një postim triumfal për gjobën ndaj Kryeqytetit nuk ua zgjidh problemin”, ka përfunduar ai.
Burimi: RTKLive




