Presioni ndaj trajnerit Michael Carrick është rritur ndjeshëm, pasi “Djajtë e Kuq” kanë regjistruar humbjen e tretë në katër ndeshjet e fundit në shtëpi.
Bournemouthi ka vazhduar formën e mirë, duke triumfuar bindshëm në “Old Trafford” dhe duke e zgjatur në shtatë ndeshje radhazi serinë pa humbje ndaj Manchester Unitedit.

Mysafirët e nisën më mirë takimin dhe krijuan rastin e parë të rrezikshëm që në minutat e para, por Rayan nuk arriti të shënonte me kokë.
Pas një gjysmëoreje me pak raste konkrete, Bournemouthi kaloi në epërsi. Pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Justin Kluivert, Rayan u gjend i lirë në zonë dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në rrjetë.
Manchester Unitedi u përpoq të reagonte, por portieri Djordje Petrovic e ndali goditjen e Bryan Mbeumos, duke mos lejuar barazimin.
Në vend të golit të barazimit, vendasit pësuan edhe një herë. Pas një gabimi në mbrojtje nga Leny Yoro, Adrien Truffert asistoi për Marcus Tavernier, i cili shënoi në portën e zbrazët për 2:0.
Vërshëllimat e tifozëve e përcollën Manchester Unitedin drejt zhveshtoreve, ndërsa Carrick vendosi të mos e aktivizonte kapitenin Bruno Fernandes as në fillim të pjesës së dytë, duke preferuar Matheus Cunhan.
Bournemouthi e nisi furishëm pjesën e dytë dhe arriti ta dërgonte topin në rrjetë përmes Evanilsonit, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Megjithatë, sulmuesi brazilian nuk u ndal dhe më vonë realizoi një gol të shkëlqyer për rezultatin përfundimtar 3:0. Pas një topi të gjatë nga Lewis Cook, mbrojtja e Unitedit u tregua e pavendosur, ndërsa Evanilson e shfrytëzoi hapësirën, e kaloi portierin Senne Lammens dhe shënoi nga një kënd i vështirë.
Kjo ishte fitorja e katërt radhazi e Bournemouthit në të gjitha garat, një seri që skuadra nuk e kishte arritur që nga dhjetori i vitit 2023. Për më tepër, Bournemouthi ka shënuar të paktën tre gola në katër vizitat e fundit në fushën e Manchester Unitedit.
Në anën tjetër, kriza e “Djajve të Kuq” po thellohet, pasi ata kanë mbetur tetë ndeshje radhazi pa fitore në të gjitha garat.
Rezultatet e dobëta kanë shtuar pikëpyetjet për të ardhmen e Carrickut, ndërsa Manchester Unitedi rrezikon të hyjë sërish në një periudhë ndryshimesh në bankinë.
Burimi: RTKLive




