Skuadra e Borës e ndërtoi fitoren kryesisht në çerekun e dytë, kur dominoi plotësisht në parket dhe krijoi një epërsi të konsiderueshme, të cilën arriti ta menaxhonte deri në përfundim të takimit.
Çereku i parë ishte i baraspeshuar dhe përfundoi me rezultat 16:16. Megjithatë, në periudhën e dytë, Bora tregoi një tjetër fytyrë, duke shkëlqyer në sulm dhe duke e fituar këtë çerek me shifrat 28:9.

Kështu, Bora shkoi në pushim me epërsi prej 19 pikësh, duke e vendosur Sigal Prishtinën përballë një detyre të vështirë për ta rikthyer ndeshjen.
Pas pushimit, Prishtina u mundua të reagonte dhe arriti ta fitonte çerekun e tretë me rezultat 18:15. Sidoqoftë, kjo nuk mjaftoi për ta rrezikuar seriozisht epërsinë e Borës, e cila vazhdoi me lojë të organizuar edhe në periudhën e fundit, të cilën e fitoi 17:14 për ta vulosur triumfin me rezultat përfundimtar 76:57.
Laolu Oke ishte basketbollisti më efikas te Bora, me 19 pikë, ndërsa Rezart Mehmedi kontribuoi me 14. Terren Allen dhe Amin Hot shtuan nga nëntë pikë secili.
Te Sigal Prishtina, më i dalluari ishte Vincent Golson me 19 pikë, i ndjekur nga Bryson Dawkins me 16, por paraqitjet e tyre nuk mjaftuan për ta shmangur humbjen në këtë derbi.
Pas gjashtë xhirove të zhvilluara, Bora ka bilanc prej katër fitoresh dhe dy humbjesh, ndërsa Sigal Prishtina numëron tri fitore dhe tri humbje.
Në xhiron e ardhshme, Bora do të përballet në udhëtim me Pejën, kurse Sigal Prishtina do ta presë Trepçën, në kërkim të rikthimit te fitoret.
Burimi: RTKLive




