Reshjet e dendura të borës kanë detyruar autoritetet në Zvicër të mbyllin para kohe disa nga qafat më të rëndësishme alpine, duke kufizuar qarkullimin në disa akse rrugore.

Sipas portalit të qafave malore të TCS-së, të mbyllura janë kalimet Gotthard, San Bernardino, Nufenen, Grimsel dhe Susten. Mbylljet janë vendosur për arsye sigurie, ndërsa për disa prej tyre ende nuk është bërë i ditur afati i rihapjes, raporton Watson, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, qafa e Furkës është mbyllur përkohësisht deri të hënën e ardhshme.
Edhe pse mbyllja e qafave alpine gjatë dimrit është e zakonshme për shkak të lartësisë dhe kushteve atmosferike, reshjet e këtij viti kanë bërë që disa prej tyre të mbyllen më herët se zakonisht.
Disa qafa alpine vazhdojnë të jenë të hapura
Pavarësisht mbylljeve, disa kalime malore në Zvicër mbeten të hapura për qarkullim. Në mesin e tyre janë Albula dhe Flüela në rajonin e Engadinës, Forcola di Livigno, Bernina, Julier dhe Ofen.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve që të informohen për gjendjen e rrugëve para se të nisen për udhëtim, pasi reshjet e borës dhe kushtet e vështira atmosferike mund të shkaktojnë mbyllje të tjera të përkohshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




