Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj retorikës politike dhe elektorale në Serbi kundër Kosovës, duke e cilësuar atë si antidemokratike dhe në kundërshtim me vlerat evropiane.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka kritikuar si partitë në pushtet, ashtu edhe ato në opozitë në Serbi, duke thënë se deklaratat e tyre ndaj Kosovës përbëjnë manipulim dhe mashtrim të elektoratit.
Ai ka rikujtuar se Kosova është çliruar më 12 qershor 1999, pas largimit të regjimit të Slobodan Millosheviqit, ndërsa më 17 shkurt 2008 ka shpallur pavarësinë.
Tahiri ka përmendur edhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
“Prandaj, boll më me manipulime, boll më me mashtrime elektorale dhe me retorikë nacionaliste!”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka theksuar se realiteti shtetëror i Kosovës nuk mund të ndryshohet përmes propagandës politike apo interesave elektorale.
“ Kosova është e lirë. Kosova është e pavarur. Dhe realiteti i saj shtetëror nuk mund të zhbëhet me propagandë politike”, ka përfunduar Tahiri.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




