Rezultatet e pjesshme të zgjedhjeve parlamentare në Izrael tregojnë se kryeministri veteran Benjamin Netanyahu po prin ndaj rivalit të tij, ish-shefit të ushtrisë Gadi Eisenkot, por ende nuk ka siguruar shumicën në parlament.
Me 85 për qind të votave të numëruara, partia Likud e Netanyahut dhe aleatët e saj të ekstremit të djathtë dhe hebrenjtë ultraortodoksë pritet të fitojnë 53 ulëse në Knesset, parlamentin me 120 vende. Ndërkaq, partia Yashar e Eisenkotit dhe tri parti të tjera hebraike të opozitës pritet të fitojnë 48 ulëse.

Të dy liderët kanë deklaruar se do të përpiqen të formojnë një koalicion qeverisës.
Partitë e udhëhequra nga arabët, të cilat pritet të fitojnë një numër rekord prej 19 ulësesh, mund të bëhen vendimtare për formimin e qeverisë. Megjithatë, të gjitha partitë hebraike, përveç njërës, kanë premtuar se nuk do të bashkëpunojnë me to.
Meqë ende nuk janë numëruar nga 430 mijë deri në 480 mijë vota të dërguara me postë nga kategori të ndryshme, përfshirë ushtarët, diplomatët dhe pacientët në spitale, rezultatet përfundimtare mund të publikohen pas një ose dy ditësh.
Pasi rezultatet të konfirmohen, presidenti Isaac Herzog do të konsultohet me të gjitha grupet politike dhe do ta ftojë liderin që, sipas vlerësimit të tij, ka më shumë gjasa të ketë sukses në formimin e qeverisë. Ky proces mund të zgjasë disa javë.
Nëse përpjekjet dështojnë, përfundimisht do të duhet të mbahen zgjedhje të reja, raporton BBC.
Burimi: RTKLive




