Policia e Tiranës në komunikimet e përditshme, që nga nisja e protestës, ka deklaruar se protestuesit e arrestuar janë prangosur kryesisht për akte dhune ndaj efektivëve të policisë, pronës publike por edhe asaj private gjatë protestave të mbajtura.
Gjatë protestave, ata kanë sulmuar punonjësit e Policisë së Shtetit me gurë, vida e sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotovë dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.

Sipas dikasterit blu, personat e proceduar penalisht kanë kryer më pak akte dhune, por kanë nxitur që aktet e dhunës të jenë në drejtim të policisë dhe jo vetëm.
Policia 65 persona, pjesëmarrës në protestë, i ka shpallur në kërkim, ndërsa në total, mbi 200 efektivë kanë mbetur të lëndruar.
Në 13 ditë protestë, ka pasur dy raste të djegies së godinave të komisariateve të Policisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke lënë të lënduar efektivët që kanë qenë në krye të detyrës në momentin kur janë sulmuar.
Por, gjatë gati dy javëve protesta, ka pasur edhe tejkalim kompetencash nga ana e efektivëve të policisë së shtetit.
Rasti më flagrant ishte plagosja në sy e 28-vjeçarit me plumb gome, dhunimi i një 45-vjeçari pasi ishte neutralizuar apo edhe dhunimi i një të riu, ku iu thye njëra prej gjymtyrëve të poshtme.
Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra dhe ka vënë nën hetim disiplinor për tejkalim kompetencash, mosrespektim të proporcionalitetit dhe trajtimit të protestuesve, nëntë efektivë blu, ku hetimet vijojnë edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Burimi: RTKLive




