Mbrojtësi i Chelseat, Wesley Fofana, ka zbuluar se përballja me Real Madridin në Ligën e Kampionëve në vitin 2023 i kishte lënë gjurmë të mëdha, duke pranuar se Karim Benzema e kishte “traumatizuar” me paraqitjen e tij.

Reali dhe Chelsea ishin përballur në çerekfinale të Ligës së Kampionëve në sezonin 2022/23, ku madrilenët kishin triumfuar me rezultat të përgjithshëm 4-0. Skuadra spanjolle kishte fituar të dyja ndeshjet me nga 2-0, ndërsa Benzema kishte shënuar golin e parë të kësaj përballjeje.
Fofana nuk i ka kursyer fjalët kur ka kujtuar vështirësitë që kishte pasur përballë sulmuesve të Real Madridit, duke veçuar Benzeman, Vinicius Juniorin dhe Rodrygon.
“Benzema më ka traumatizuar. Ai na eliminoi pothuajse i vetëm. Ai dhe Viniciusi, ishte diçka e çmendur. Rodrygo erdhi vetëm për ta përfunduar punën, sepse unë nuk jam i motivuar nga golat”, deklaroi Fofana në emisionin në YouTube, Zack, siç raporton Foot Mercato.
“Nëse flasim për futboll, ata të dy, Viniciusi dhe Benzema, ishin të tepërt për ne. Ishte diçka e pabesueshme. Luajtëm kundër Modricit, ata kishin një ekip ëndrrash”.
Ndërkohë, 25-vjeçari po synon të rikthehet në formën më të mirë te Chelsea, pas një periudhe të vështirë të karakterizuar nga lëndimet e shumta.
Mbrojtësi francez ka zbuluar se në një moment kishte menduar edhe ta përfundonte karrierën si futbollist, pasi problemet fizike nuk po e linin të rikthehej në fushë.
Pas rikuperimit nga lëndimi i ligamentit (ACL) dhe dëmtimi i meniskut, Fofana pësoi edhe dy lëndime muskulore në kofshë gjatë periudhës së trajnerit Enzo Maresca.
“Ka qenë një periudhë kur u riktheva pas lëndimeve të ACL-së dhe meniskut, pastaj e lëndova kofshën dy herë nën drejtimin e Marescas. Ishte një periudhë kur doja ta lija futbollin”.
“U ula me agjentët e mi dhe u thashë: Kaq ishte, po e lë futbollin. Pastaj ata filluan të më flisnin për kontratën dhe gjithçka tjetër.
“Më thanë se ishte e thjeshtë, kisha ende shumë vite në kontratë dhe shumë para për të fituar. Edhe nëse vendosja ta lija futbollin, do të duhej të paraqitesha çdo ditë, të buzëqeshja dhe madje të qëndroja pranë ekipit edhe kur isha i lënduar. Kontratën duhej ta përfundoja”, përfundoi Fofana./Telegrafi/





