BE-ja thotë se po zhvillon dialog me Kosovën për ndryshimet në Ligjin për Specialen

BE-ja thotë se po zhvillon dialog me Kosovën për ndryshimet në Ligjin për Specialen

BE-ja thotë se po zhvillon dialog me Kosovën për ndryshimet në Ligjin për Specialen

Bashkimi Evropian po zhvillon dialog me Qeverinë e Kosovës lidhur me ndryshimet e bëra në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, tha komisionarja për Zgjerim e bllokut, Marta Kos.

Sponsor 3M Express

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u iniciuan nga Partia Demokratike e Kosovës dhe u miratuan më 6 tetor. Pas këtij vendimi, komuniteti evropian shprehu shqetësime lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe për pavarësinë e gjykatës me seli në Hagë.

Miratimit përfundimtar të ndryshimeve i paraprinë protestat kundër aktgjykimit dënues të 16 shtatorit kundër katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u dënuan në shkallë të parë për krime lufte.

Protestuesit kërkuan ndryshime në ligj dhe mbështetje më të madhe institucionale për ish-presidentin, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi, që u shpallën fajtorë nga Gjykata Speciale.

Por, me kërkesën e vetë nismëtares së ndryshimeve, ligji u kthye në Kuvend për rishqyrtim nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula më 22 tetor.

“Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës rrezikojnë të minojnë çdo përparim, por veçse jemi në dialog sa i përket këtyre ndryshimeve me Qeverinë e Kosovës”, tha Kos gjatë një konference për media në Bruksel, duke folur për përparimin e Prishtinës sa i përket reformave.

BE-ja kishte shprehur shqetësime për ndryshimet në Ligjin për mekanizmin e drejtësisë me seli në Hagë të Holandës, duke argumentuar se duhet konsultuar edhe vetë blloku për ndryshimet në ligj.

Në prill të vitit 2014, përmes një letërkëmbimi mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe shefes së BE-së, Catherine Ashton, vendi mori përsipër një sërë zotimesh për Gjykatën Speciale.

Në mesin e zotimeve ishte dhe që Kosova të konsultohej me BE-në për çfarëdo nisme për ndryshim të ligjeve që kanë ndikim në mandatin e gjykatës, apo në procedurat gjyqësore që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF).

Po ashtu, Kosova u zotua për vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.

Pas kthimit të ligjit në Kuvend, nga BE-ja deklaruan se presin që të konsultohen “nëse rinisin diskutimet në Kuvend” për të, pikërisht duke u thirrur në “frymën e letërkëmbimit” mes Jahjagës dhe Ashtonit.

Po ashtu, nga Dhomat e Specializuara më herët kanë thënë se nuk janë konsultuar për nismën për ndryshimet në ligj. Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se gjykata ka mandat të përcaktuar në bazë të këmbimit të letrave, Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Muriqi shënon ndaj Liverpool në Ligën e Kampionëve

Muriqi shënon ndaj Liverpool në Ligën e Kampionëve

Muriqi ‘trondit’ gjigantët anglezë, e kalon në epërsi Fenerbahçen kundër Liverpoolit

Muriqi ‘trondit’ gjigantët anglezë, e kalon në epërsi Fenerbahçen kundër Liverpoolit

Aplikacioni mbikëqyrës: Studentët e mjekësisë kundër skanimit (VIDEO)

Aplikacioni mbikëqyrës: Studentët e mjekësisë kundër skanimit (VIDEO)

BE-ja thotë se po zhvillon dialog me Kosovën për ndryshimet në Ligjin për Specialen | Momenti