BE-ja nuk do të rikthehet te energjia ruse, pavarësisht bisedimeve të paqes të udhëhequra nga SHBA-ja

BE-ja nuk do të rikthehet te energjia ruse, pavarësisht bisedimeve të paqes të udhëhequra nga SHBA-ja

BE-ja nuk do të rikthehet te energjia ruse, pavarësisht bisedimeve të paqes të udhëhequra nga SHBA-ja

Bashkimi Evropian nuk do të rifillojë importet e energjisë nga Rusia, pavarësisht rezultatit të negociatave mes Uashingtonit dhe Moskës, ka deklaruar komisioneri evropian për Energjinë, Dan Jørgensen, në një intervistë për Euronews.

Sponsor 3M Express

Duke folur në emisionin “On the Record” me Maria Tadeo, Jørgensen e cilësoi Rusinë si armike të Evropës dhe u zotua se Brukseli do të vazhdojë planet për t’i dhënë fund importeve të energjisë ruse.

“Ne nuk do të importojmë më kurrë, nëse kjo varet nga unë, as edhe një molekulë nga Rusia. Ne nuk i besojmë Rusisë”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Deklaratat e tij nxjerrin në pah dallimet në qëndrimet e Brukselit dhe Uashingtonit. Administrata e Donald Trumpit lehtësoi muajin e kaluar disa kufizime ndaj naftës dizel ruse, para zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor. Gjithashtu, ajo ka lënë të kuptohet se mund ta mbështesë rikthimin e Moskës si aktor në tregun global të energjisë në rast të arritjes së një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën.

Sipas raportimeve të mediave në fillim të këtij muaji, Uashingtoni ka diskutuar edhe mundësinë e rikthimit të energjisë ruse në Evropë.

Megjithatë, Jørgensen këmbënguli se asnjë marrëveshje mes SHBA-së dhe Rusisë nuk mund ta anashkalojë legjislacionin e Bashkimit Evropian.

“Pavarësisht se çfarë ndodh në këto negociata, legjislacioni evropian hartohet në Bruksel, propozohet nga Komisioni dhe miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli, si bashkëligjvënës”, deklaroi ai.

Sipas tij, BE-ja synon të sigurohet që të mos jetë më kurrë e varur nga gazi rus.

Në vend të mbështetjes vetëm te sanksionet, të cilat mund të hiqen pas përfundimit të luftës, BE-ja ka miratuar legjislacion për t’i dhënë fund gradualisht importeve të gazit nga Rusia.

“Ne në fakt e kemi ndaluar, gjë që është më e fuqishme se sanksionet, sepse ato duhet të rinovohen çdo gjashtë muaj”, tha Jørgensen, duke shtuar se në rast të arritjes së paqes, sanksionet mund të hiqen, ndërsa legjislacioni evropian do të mbetet në fuqi.

Blloku evropian tashmë ka ulur varësinë nga gazi rus nga 45 për qind në rreth 10 për qind dhe pret që importet të ndërpriten plotësisht gjatë vitit të ardhshëm.

“Edhe nëse arrihet paqja, ne nuk do t’u besojmë dhe nuk duam t’i përsërisim gabimet e së kaluarës”, theksoi komisioneri.

Jørgensen paralajmëroi gjithashtu konsumatorët që të përgatiten për çmime më të larta të karburanteve dhe gazit gjatë dimrit, pavarësisht rënies së fundit të çmimit të naftës.

“Po hyjmë në një dimër që do të jetë mjaft i vështirë në pikat e karburantit, pasi benzina, nafta dizel dhe gazi do të kushtojnë më shumë”, tha ai.

Sipas të dhënave të cituara në raport, çmimet mesatare të gazit në Evropë u rritën me 163 për qind në tetor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Temperaturat më të ulëta mund t’i rrisin edhe më tej faturat e konsumatorëve.

Përballë presionit në rritje për të mbrojtur familjet nga shtrenjtimi i energjisë, komisioneri kundërshtoi propozimin për një taksë të përbashkët në nivel të BE-së ndaj fitimeve të jashtëzakonshme të kompanive energjetike. Sipas tij, vendimet e tilla duhet të merren nga qeveritë kombëtare.

“Në disa shtete anëtare kjo mund të jetë ide e mirë. Por nuk mendoj se është e arsyeshme të kemi një zgjidhje të vetme për të gjithë Evropën, sepse jo të gjitha vendet kanë të njëjtat nevoja”, u shpreh ai.

Gjashtë vende të BE-së – Austria, Gjermania, Italia, Polonia, Portugalia dhe Spanja – i kanë kërkuar Brukselit të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së një takse të përbashkët ndaj fitimeve të tepërta të kompanive të energjisë.

Në vend të kësaj, Komisioni Evropian dëshiron që qeveritë të ulin taksat mbi energjinë elektrike, duke argumentuar se tarifat e larta i dekurajojnë konsumatorët të kalojnë nga karburantet fosile drejt alternativave të tjera. Jørgensen tha se taksat përbëjnë rreth 29 për qind të faturës mesatare të energjisë elektrike për familjet.

I pyetur për mundësinë e mbylljes së zgjatur të Ngushticës së Hormuzit, komisioneri tha se Evropa duhet të përgatitet për skenarin më të keq, në vend që të mbështetet te premtimet politike për përfundimin e shpejtë të konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

“Ne po përgatitemi për një botë ku pasiguritë janë shumë të mëdha. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë”, deklaroi Jørgensen. /Telegrafi/

Lexo edhe

Shisnin drogë pranë shkollave dhe në hapësira publike, 13 persona arrestohen në Shkodër

Shisnin drogë pranë shkollave dhe në hapësira publike, 13 persona arrestohen në Shkodër

Vrau një person në Shqipëri dhe u fsheh për 27 vite në Britani, por tani mund të qëndrojë atje

Vrau një person në Shqipëri dhe u fsheh për 27 vite në Britani, por tani mund të qëndrojë atje

Zhvillime të reja për Lojërat Mesdhetare, ICMG thërret Kosovën në Athinë

Zhvillime të reja për Lojërat Mesdhetare, ICMG thërret Kosovën në Athinë