Në kuadër të aktivitetit “Green Hub Business”, me temën “Mundësitë e partneritetit biznesor në rajon”, ekspertja e komunikimit për mjedisin dhe marrëdhëniet, Behare Bajraktari, ka theksuar rëndësinë e tranzicionit të gjelbër dhe përgatitjes së bizneseve kosovare për standardet e tregut të Bashkimit Evropian. Aktiviteti synon nxitjen e investimeve të gjelbra dhe forcimin e partneriteteve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.

Bajraktari ka theksuar se bizneset në Kosovë duhet të investojnë më shumë në energjinë e ripërtëritshme dhe të zvogëlojnë varësinë nga energjia e prodhuar përmes qymyrit, pasi kjo do të jetë një prej kërkesave me të cilat do të përballen gjatë bashkëpunimit me tregun evropian.
Ajo ka thënë se, pavarësisht investimeve që janë bërë në sektorin e energjisë, ato nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat mjedisore.
“Për energjinë, ashtu-ashtu ka investime, po jo të mjaftueshme, bizneset që duhet t’i ngrisin kapacitetet për energji të rinovueshme për të ulur CO2-shin ose prodhimin e energjisë përmes qymyrit. Na akoma duam qymyr, po BE-ja nuk ka shansa që i pranojnë bizneset kur e kuptojnë që ndikimi në mjedis është i madh, edhe që energjinë që e marrin bizneset vjen prej qymyrit. Krejt këto kanë me u kërkua edhe po kërkohen prej bizneseve”, ka thënë ajo.
Një tjetër çështje që Bajraktari e ka vlerësuar të rëndësishme është ekonomia qarkore, duke theksuar se në Kosovë mungon bashkëpunimi ndërmjet kompanive për ripërdorimin e mbetjeve nga proceset e prodhimit.
Sipas saj, mbetjet e një biznesi mund të shërbejnë si lëndë e parë për një biznes tjetër, në vend që të përfundojnë në deponi.
“Në Kosovë nuk bashkëpunojnë kompanitë me njëra-tjetrën. Nëse unë prodhoj, për shembull, ushqim, e kam një fast food, ato mbetje, ku shkojnë? A veç i gjuajmë në mbeturina? Pse nuk ka bashkëpunim mes bizneseve që mbetjet e atij produkti, e asaj kompanie, të prodhojë një produkt tjetër me një kompani tjetër. Prandaj odat dhe dhomat ekonomike janë shumë të rëndësishme për bashkëpunimin e bizneseve, që asnjë produkt të mos hudhet, po të hyn në funksion, të riprodhohet”, ka deklaruar Bajraktari.
Ajo ka folur edhe për rëndësinë e Procesit të Berlinit në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur interesimin e kompanive gjermane dhe franceze për potencialin e Kosovës në fushën e hidrogjenit natyror.
Sipas Bajraktarit, disa kompani të huaja kanë shprehur interesim për të studiuar mundësitë e shfrytëzimit të këtij resursi, por ajo ka pretenduar se institucionet e Kosovës tash e dy deri në tri vjet nuk u kanë dhënë përgjigje për kërkesat e tyre.
“Edhe janë gjermanët shumë të interesuar, dhe me gjasa janë të interesuar edhe për hidrogjenin, po s’po e thonë publikisht, po unë e di. Po edhe francezët janë të interesuar, po qeveria jonë ka dy-tre vite që nuk po ju jep leje për me studiu pra në një pjesë të Kosovës se sa hidrogjen ka Kosova. E ka hidrogjen sipas këtyre kompanive gjermane dhe franceze. Unë kam rënë në kontakt me këtë kompani të madhe franceze, ata janë të interesuar, po qeveria jonë ka dy-tre vite që nuk po ju jep asnjë përgjigje për me studiu sasinë e hidrogjenit në Kosovë, e hidrogjeni natyror kishte luajtur një rol shumë të madh në shumëllojshmërinë e energjisë”, ka thënë ajo.
Duke folur për qasjen në tregun e Bashkimit Evropian, Bajraktari ka përmendur edhe problemet me të cilat përballen prodhuesit kosovarë për shkak të mosplotësimit të standardeve të kërkuara për produktet.
Ajo ka theksuar se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi bizneset, por edhe mbi institucionet që merren me certifikimin dhe verifikimin e produkteve.
“ Disa kompanive tona i janë rikthyer produktet në kufi, se s’i kanë plotësuar standardet. Kjo jo vetëm për fajin e bizneseve, po për fajin edhe të institucioneve të cilat nuk i certifikojnë siç duhet, sidomos me produkte dhe prodhime të cilat e kanë një bazë ushqimore, ku agjencia e ushqimit duhet të jetë shumë më serioze me standardet edhe verifikimet, se kjo nuk është veç ta bëjë një dokument, se ti dokumentin e bën shumë lehtë, po ai është veç një greenëashing më pas. Pra, nuk i plotëson kërkesat”, ka deklaruar ajo.
Në fund, Bajraktari ka theksuar se tranzicioni i gjelbër nuk nënkupton vetëm investime në teknologji, por edhe zhvillimin e aftësive të reja te punëtorët dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e reja të tregut të punës.
Diskutimi u fokusua në tranzicionin e gjelbër, investimet në energjinë e ripërtëritshme, ekonominë qarkore dhe sfidat e bizneseve kosovare për përmbushjen e standardeve mjedisore të Bashkimit Evropian, si dhe mundësitë për bashkëpunim dhe partneritet ekonomik në rajon.
Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, agjenda e gjelbër dhe mundësitë e partneritetit biznesor në rajon, ishin në fokus të “Green Hub Business”, që u mbajt në Prishtinë, organizuar nga Oda Sllovene e Bizneseve dhe BB Green Kosova.
Me këtë rast, u trajtuan nevojat e tregut kosovar, transformimi i bizneseve drejt ekonomisë së gjelbër, inovacioni, konkurrueshmëria dhe mundësitë e financimit për zgjidhje të qëndrueshme.




