Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me incidentet e dhunshme të raportuara në disa qendra votimi gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që po mbahen sot në Serbi.

Sipas raportimit të televizionit serb N1, përfaqësuesi i BE-së ka kërkuar që qytetarëve t’u garantohet një mjedis i sigurt dhe paqësor për ushtrimin e të drejtës së votës.
“Qytetarët e Serbisë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar në një mjedis paqësor dhe të sigurt”, ka deklaruar von Beckerath.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor që të tregojnë përmbajtje dhe përgjegjësi, duke shmangur çdo veprim që mund të çojë në përshkallëzim të tensioneve.
“U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të ruajnë qetësinë, të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga dhuna e provokimet”, ka theksuar ai.
Diplomati evropian u është drejtuar gjithashtu institucioneve kompetente të Serbisë, duke kërkuar që të ndërmarrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor.
“U bëjmë thirrje institucioneve kompetente të garantojnë sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor”, ka deklaruar von Beckerath.
Reagimi i përfaqësuesit të Bashkimit Evropian vjen pas raportimeve për incidente të dhunshme në disa qendra votimi, të cilat kanë ngritur shqetësime lidhur me sigurinë gjatë zhvillimit të procesit zgjedhor në Serbi. /kp/Telegrafi/




