Bashkimi Evropian dhe Kanadaja kanë shpallur një partneritet të ri për të thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe të sigurisë, në kuadër të një samiti të mbajtur në Montreal.
Nisma, e quajtur “Aleanca për të Ardhmen”, synon krijimin e një hapësire të përbashkët prosperiteti dhe sigurie ekonomike. Palët planifikojnë të forcojnë zinxhirët e furnizimit dhe të zvogëlojnë ekspozimin ndaj rreziqeve të përbashkëta ekonomike.

Bashkëpunimi pritet të zgjerohet edhe në mbrojtje, energji, arsim, tregti, hapësirë dhe inteligjencë artificiale.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, e përshkroi marrëveshjen si një hap drejt një bote më të aftë për t’u përballur me krizat, në një kohë kur shoqëritë po përjetojnë sfida dhe tronditje të reja.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se samiti hap një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy palëve. Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, e cilësoi Kanadanë si “vendin më evropian ndër vendet joevropiane”.
Diskutimet u shoqëruan edhe me mospajtime rreth propozimit që Kanadaja të merrte statusin e “anëtarit të asociuar” të BE-së. Kjo ide, e mbështetur nga Carney, u kundërshtua veçanërisht nga kancelari gjerman, Friedrich Merz, dhe formulimi u hoq nga deklarata përfundimtare.
Von der Leyen theksoi se Kanadaja nuk mund të bëhet anëtare me të drejta të plota, por se synimi mbetet afrimi sa më i madh mes dy palëve.
Partneriteti po zhvillohet në sfondin e marrëdhënieve të tensionuara me SHBA-në dhe Kinën. Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka kritikuar afrimin e Kanadasë me BE-në dhe ka kërcënuar me ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare.
BE-ja është partneri i dytë më i madh tregtar i Kanadasë, pas Shteteve të Bashkuara, ndërsa marrëveshja e tregtisë së lirë CETA zbatohet përkohësisht prej vitesh.
Otava synon gjithashtu të kontribuojë në financimin e kredisë prej 90 miliardë eurosh të BE-së për Ukrainën. Qeveria kanadeze ende nuk ka dhënë hollësi për shumën apo mënyrën e pjesëmarrjes./DW
Burimi: Dukagjini




