Bashkimi Evropian po shton përpjekjet për garantimin e sigurisë detare në Gjirin e Adenit dhe në Detin e Kuq, në një kohë kur kërcënimet ndaj anijeve tregtare dhe rreziku i sulmeve pirate vazhdojnë të mbeten shqetësim për transportin ndërkombëtar.
Përmes misionit detar ATALANTA, BE-ja po vazhdon monitorimin dhe patrullimin e korridoreve kryesore detare, me qëllim parandalimin e piraterisë dhe mbrojtjen e anijeve që transportojnë mallra në këtë rajon strategjik.

Sipas raportimit të Associated Press vëmendje e veçantë i kushtohet Gjirit të Adenit dhe Ngushticës Bab el-Mandeb, një korridor jetik që lidh Oqeanin Indian me Detin e Kuq dhe përmes të cilit kalon një pjesë e rëndësishme e tregtisë botërore.
Situata e sigurisë në rajon është ndërlikuar nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe paqëndrueshmëria në brigjet e Somalisë dhe Jemenit. Këto zhvillime kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e ekuipazheve dhe vazhdimësinë e transportit detar.
Krahas patrullimeve, forcat evropiane po përdorin mjete të ndryshme vëzhgimi dhe monitorimi për të identifikuar aktivitetet e dyshimta dhe për të reaguar ndaj kërcënimeve të mundshme.
Rritja e rrezikut në këtë korridor detar mund të ketë pasoja edhe për ekonominë globale, pasi ndryshimi i itinerareve të anijeve sjell vonesa, rritje të kostove të transportit dhe shtrenjtim të sigurimit të mallrave.
Bashkimi Evropian synon që përmes pranisë detare të kontribuojë në ruajtjen e lundrimit të lirë dhe sigurinë e një prej rrugëve më të rëndësishme tregtare në botë.
Burimi: Dukagjini




