Bayern Munich po kalon një periudhë të vështirë, ku përveç problemeve të shumta me lëndimet, në qendër të vëmendjes kanë përfunduar edhe polemikat rreth Jamal Musialas.

Kthimi i mesfushorit 23-vjeçar në fushë, pas një mungese të gjatë, duhej të ishte një lajm i mirë për bavarezët. Megjithatë, deklaratat e ish-drejtuesit të klubit, Karl-Heinz Rummenigge, kanë hapur një debat të madh rreth së ardhmes së tij dhe marrëdhënies me drejtuesit e Bayernit.
Musiala u rikthye në ndeshjen kundër Kolnit, e cila përfundoi me rezultat 1-1, pas një pauze prej rreth dy muajsh. Por vëmendjen e morën deklaratat e Rummenigges, i cili vuri në pikëpyetje nivelin e ardhshëm të paraqitjeve të futbollistit gjerman, duke e lidhur këtë edhe me kushtet financiare të kontratës së tij.
Marrëveshja verbale e verës mes Musialas dhe Bayernit
Sipas gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung, këshilltarët e Musialas dhe drejtuesit e Bayernit kishin arritur një marrëveshje verbale gjatë verës. Palët thuhet se ishin pajtuar që kontrata e tij të rishikohej në rast se futbollisti nuk do të arrinte të rikthehej në nivelin e mëparshëm të paraqitjeve.
Rummenigge e cilësoi këtë mundësi si plotësisht të realizueshme, duke theksuar se shumat aktuale të kontratës nuk do të ishin më të pranueshme nëse Musiala nuk do të arrinte ta rikthente formën e tij të mëparshme.
Ai madje deklaroi se nuk mund ta imagjinonte që Musiala të largohej nga Bayerni apo të transferohej te një klub tjetër në rrethana të tilla.
Këto deklarata kanë ngritur dyshime se presioni publik ndaj futbollistit mund të jetë një mënyrë për ta bindur atë dhe përfaqësuesit e tij që të pranojnë ndryshime në kushtet financiare të kontratës.
Musiala e kishte vazhduar kontratën me Bayernin deri në vitin 2030, në shkurt të vitit 2025, duke u bërë njëri prej futbollistëve më të paguar të klubit.
Ndërkohë, gjatë periudhës së gjatë të mungesës së tij, u bë e ditur se ai vuante nga një çrregullim neurologjik funksional, i shoqëruar me kriza të mungesës. Presidenti i klubit, Herbert Hainer, hodhi poshtë pretendimet se rrethi i futbollistit mund të ketë qenë në dijeni të kësaj gjendjeje përpara nënshkrimit të kontratës së re.
Lëndimi i Kane e rëndon edhe më shumë situatën
Përveç polemikave rreth Musialas, Bayerni është goditur rëndë edhe nga lëndimi i Harry Kane. Sulmuesi anglez iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas këputjes së sindesmozës dhe pritet të mungojë për një periudhë të gjatë.
Kane e konfirmoi ndërhyrjen përmes një fotografie nga spitali, duke shprehur besimin se do të rikthehet në kohë për fazën vendimtare të sezonit.
Drejtori sportiv Max Eberl e përshkroi situatën si shumë sfiduese për klubin, duke pranuar se mungesa e sulmuesit anglez është një goditje e madhe për skuadrën.
Problemet nuk përfundojnë me Kane. Manuel Neuer, Serge Gnabry dhe Ismael Saibari gjithashtu përballen me mungesa, ndërsa Alphonso Davies vazhdon të jetë jashtë fushave. Luis Diaz po rikthehet gradualisht, kurse Michael Olise pësoi një dëmtim në ndeshjen ndaj Kolnit, por duket se do të mungojë vetëm në përballjen me Lille.
Kompany pret përgjigje nga lojtarët e tjerë
Në këtë situatë, trajneri Vincent Kompany duhet të gjejë zgjidhje për të përballuar kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve. Bavarezët kanë disa sfida të rëndësishme deri në Krishtlindje, përfshirë edhe përballjen me Lille në Ligën e Kampionëve.
Kompany shpreson që futbollistët e tjerë të marrin më shumë përgjegjësi në mungesë të emrave kryesorë.
“Tani kemi lojtarë të tjerë që duhet ta mbajnë ekipin në këmbë”, deklaroi trajneri belg, duke lënë të kuptohet se Musiala mund të jetë një prej futbollistëve nga të cilët pritet më shumë në këtë periudhë.
Kështu, në një moment kur Bayerni ka nevojë për qetësi dhe rezultate, çështja Musiala dhe mungesa e Kane kanë krijuar një situatë të ndërlikuar për klubin gjerman. /Telegrafi/





