Trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, është liruar nga spitali pas problemeve shëndetësore që e detyruan të kërkonte ndihmë mjekësore gjatë fundjavës së kaluar.

Drejtori sportiv i klubit bavarez, Max Eberl, konfirmoi për televizionin ARD se gjendja e trajnerit belg ishte shkaktuar nga një irritim i meningjeve.
“Lirimi i tij nga spitali është lajmi më i madh dhe më i mirë për të gjithë ne”, deklaroi Eberl, duke shprehur lehtësimin pas zhvillimeve të fundit rreth gjendjes së trajnerit.
Fillimisht, drejtuesi i Bayernit kishte bërë të ditur se Kompany mund të mungonte për disa javë. Megjithatë, pas daljes nga spitali, trajneri ka nisur fazën e rehabilitimit, e cila përfshin pushim dhe trajtim me medikamente.
“Për të, rehabilitimi nënkupton pushim dhe medikamente. Jam shumë, shumë i bindur se së shpejti do të rikthehet në pankinë në gjendje të plotë”.
Ndërkohë, deri në një njoftim të ri, detyrat e trajnerit kryesor te Bayerni do të mbulohen nga stafi teknik, i udhëhequr nga ndihmësi Aaron Danks.
Lirimi nga spitali përbën një zhvillim pozitiv për klubin bavarez, ndërsa koha e saktë e rikthimit të Kompanyt në drejtimin e skuadrës ende nuk është bërë e ditur./Telegrafi/




