Katie Goodland, bashkëshortja e futbollistit anglez Harry Kane, është përballur me komente fyese për pamjen e saj fizike pas ceremonisë së Topit të Artë në Londër. Sulmet në rrjetet sociale kanë nxitur reagime të shumta, ndërsa në mbrojtje të saj ka dalë edhe bashkëshortja e futbollistit Thomas Meunier, Deborah Panzokou, e cila ka dënuar ashpër gjuhën fyese ndaj saj.

Në vend që vëmendja të përqendrohej te çmimi dhe suksesi i Harry Kane, pas ceremonisë në qendër të diskutimeve u vu pamja e bashkëshortes së tij. Disa përdorues të rrjeteve sociale publikuan komente fyese dhe kritika ndaj Katie-t, duke nxitur reagime nga persona të afërt me botën e futbollit.
Njëra prej tyre ishte Deborah Panzokou, e cila përmes një postimi në Instagram kritikoi ashpër ata që ndihen të lirë të gjykojnë dhe të poshtërojnë publikisht gratë për pamjen e tyre fizike.
“Një burrë falënderon publikisht gruan që ka qenë pranë tij që në rini dhe që e ka mbështetur në çdo moment, ndërsa disa nuk gjejnë asgjë më të zgjuar sesa të shkruajnë komente të neveritshme. Imagjinoni sikur dikush të vinte në shtëpinë tuaj dhe të kritikonte pamjen e partneres suaj. Kjo është mungesë e kulturës bazë”, shkroi ajo.
Nuk është hera e parë që Katie përballet me komente të tilla. Edhe Harry Kane ka reaguar më herët ndaj kritikave për bashkëshorten e tij, duke e cilësuar atë si një grua të bukur, të sjellshme dhe me humor.
Gjatë ceremonisë në Londër, sulmuesi anglez i kushtoi gjithashtu një pjesë të fjalimit të tij, duke e falënderuar Katie-n për besimin dhe mbështetjen që i ka dhënë gjatë gjithë rrugëtimit të tij.
Historia e tyre e dashurisë ka nisur që në fëmijëri, kur dyshja u njohën në shkollë në Londër. Ata u fejuan në vitin 2017 dhe u martuan dy vite më vonë. Sot, çifti janë prindër të katër fëmijëve.
Lidhja e tyre, e ndërtuar që në vitet e fëmijërisë, ka qëndruar e fortë ndër vite, përpara se Kane të shndërrohej në një prej emrave më të njohur të futbollit botëror.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




