Barcelona është gjobitur me 602 euro nga Federata e Futbollit e Spanjës, pas ankesës së Atletico Madridit, i cili e akuzoi klubin katalunas se kishte kontaktuar sulmuesin argjentinas Julian Alvarez pa e njoftuar paraprakisht me shkrim klubin e tij.

Sanksioni është shqiptuar të martën, në bazë të nenit 133 të rregullores së federatës. Atletico Madridi i është drejtuar edhe FIFA-s për këtë çështje, por institucioni më i lartë i futbollit botëror ka vlerësuar se nuk ka juridiksion për ta trajtuar rastin.
Alvarez, i cili ka kontratë me Atletico Madridin deri në qershor të vitit 2030, është përfshirë në polemika gjatë muajve të fundit, pasi ka shprehur dëshirën për t’u transferuar te Barcelona.
Në një intervistë gjatë Kupës së Botës 2026, sulmuesi kishte deklaruar se dëshironte ta realizonte ëndrrën për të luajtur për klubin katalunas. Kjo deklaratë kishte shkaktuar pakënaqësi te tifozët e Atletico Madridit dhe kishte nxitur një përplasje që vazhdoi gjatë afatit kalimtar të verës.
Alvarez është fishkëllyer disa herë nga tifozët vendas këtë sezon, por raportet mes tij dhe një pjese të tyre duket se po përmirësohen.
Sulmuesi argjentinas shënoi golin e fitores për Atletico Madridin në ndeshjen ndaj Deportivo La Corunas të shtunën, duke realizuar për të dytën ndeshje radhazi. Pas golit, disa pjesë të tifozëve në stadiumin Metropolitano e duartrokitën në këmbë.
Pas ndeshjes, Alvarez kërkoi falje për deklaratat e tij, duke pranuar se kishte gabuar.
“Ishte gabim. E kuptoj pse tifozët janë të zemëruar. Po të isha tifoz, edhe unë do të zemërohesha, sidomos duke pasur parasysh se si më kanë mbështetur që kur kam ardhur”, ka thënë argjentinasi.
Fitorja ndaj Deportivo La Corunas e ka afruar Atletico Madridin në vetëm dy pikë nga Barcelona, e cila kryeson La Ligën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




