Barcelona e denoncoi PSG-në në UEFA për shkak të koreografisë provokuese që tifozët e klubit francez shfaqën në tribunat e Parc des Princes përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve. Parisienët i mposhtën katalunasit 4-2, por pas ndeshjes, nuk bëhej më fjalë vetëm për futboll.

Klubi katalunas i raportoi delegatit të UEFA-s një koreografi gjigante që tregonte një burrë të maskuar që i ngjante Jason Voorhees nga seriali i famshëm horror “E premtja e 13-të” me një sharrë elektrike duke shkatërruar stemën e klubit katalunas, ndërsa gjaku shpërthen përreth. Skena shoqërohej me mbishkrimin “Massacre à la parisienne” ose “Masakër në stilin parisien”.
Koreografia u shfaq në mënyrë të spikatur në tribunat e ultrasve të PSG-së para ndeshjes, me mesazhin e saj të drejtuar qartë kundër Barcelonës. Skena u theksua më tej nga efektet piroteknike që simulonin shkëndija nga një sharrë elektrike.
Ky nuk ishte incidenti i vetëm që e shqetësoi Barcelonën. Tifozët e PSG-së shfaqën gjithashtu banera më të vogël me mbishkrimin fyes “Puta Barça” (Barça është një kurvë), dhe klubi katalunas kërkoi heqjen e tyre.
Sipas mediave spanjolle, Barcelona është gjithashtu e pakënaqur me mënyrën se si banera të tillë u sollën në stadium, duke marrë parasysh kontrollet e sigurisë që kryhen në ndeshje të këtij niveli.
Çështja tani mund të ketë një epilog disiplinor.
UEFA do ta shqyrtojë raportin dhe PSG mund të përballet me një gjobë për shkak të përmbajtjes së koreografisë dhe sjelljes së disa prej tifozëve. /Telegrafi/




