Banorët e fshatit Vërnicë i janë drejtuar kryetarit të komunës me kërkesë për ndërhyrje urgjente në rregullimin e rrugëve, të cilat, sipas tyre, prej vitesh janë në gjendje të keqe.

Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, faqja “Fshati Vërnic” ka ngritur shqetësimin për dëmtimet e shumta në rrugët e fshatit, duke theksuar se ato po ua vështirësojnë përditshmërinë banorëve.
Sipas tyre, gropat dhe dëmtimet në rrugë paraqesin rrezik për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit që qarkullojnë çdo ditë në këto hapësira.
Banorët i kanë bërë thirrje kryetarit të komunës që të vizitojë fshatin nga afër për të parë gjendjen e rrugëve dhe për të ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e infrastrukturës.
Ata kërkojnë që fshati të mos lihet pas dore dhe që shqetësimet e tyre të marrin vëmendjen e institucioneve komunale. /Telegrafi/




