Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ia ka rikujtuar kryeministrit Albin Kurti premtimin e 2 nëntorit 2021 për përfundimin e rrugës Prishtinë-Podujevë brenda vitit 2022.
Bajrami, përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar përgjegjësi për vonesat në realizimin e projektit, duke publikuar edhe një video-lajm të vitit 2021, kur Kurti dhe kryetari i atëhershëm i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, inspektuan punimet në këtë rrugë.

“Më 2 nëntor 2021, Albin Kurti premtoi se rruga Prishtinë – Podujevë do të përfundonte në vitin 2022.
Sot, gati pas pesë vitesh rruga ende nuk ka përfundu.
Gjashtë vjet e mbi 20 miliardë Euro buxhet të humbura pa lënë asnjë shënjë në këtë vend.
Përgjegjësi”, ka shkruar Bajrami.
Gjatë asaj vizite, Kurti ishte zotuar se punimet do të përfundonin gjatë vitit 2022, pavarësisht zvarritjeve të deriatëhershme.
“Jemi bashkë me Bulliqin që ta konstatojmë një zvarritje dhe zhagitje e cila përveç që e dëmshme është edhe e paarsyeshme, prandaj teksa sektori 2 do të përfundojë deri në fund të vitit 2021, në vitin 2022 ne zotohemi që do t’i përmbyllim komplet punimet dhe gjithçka çka është e nevojshme në mënyrë që kjo rrugë e cila lidh Llapin me Kryeqytetin të jetë e përfunduar”, kishte deklaruar Kurti më 2 nëntor 2021.
Burimi: Dukagjini




