Babai i Meghan Markle lirohet me kusht pas arrestimit nën dyshimet për posedim të materialeve pornografike me të mitur

Babai i Meghan Markle lirohet me kusht pas arrestimit nën dyshimet për posedim të materialeve pornografike me të mitur

Babai i Meghan Markle lirohet me kusht pas arrestimit nën dyshimet për posedim të materialeve pornografike me të mitur

Thomas Markle (82), babai i dukeshës së Sussex-it, Meghan Markle, me të cilën prej vitesh nuk mban marrëdhënie, është liruar me kusht pas arrestimit të premten, nën dyshimet për posedim të materialeve pornografike me të mitur.

Sponsor 3M Express

Agjentët e FBI-së e arrestuan atë në një qendër për të moshuar në Lakeland të Floridës. Arrestimi erdhi pas një hetimi gjatë të cilit u zbuluan fotografi që dyshohet se paraqesin abuzim seksual ndaj fëmijëve, përfshirë edhe disa imazhe ku, sipas pretendimeve të hetuesve, shfaqet vetë Markle pranë vajzave të mitura.

Po atë ditë, Markle u paraqit para një gjykate federale në Tampa, ku u transportua në sallën e gjyqit me karrocë invalidësh. Gjatë seancës së parë, ai nuk u deklarua nëse e pranonte apo e mohonte fajësinë.

Gjykata ia lejoi kthimin në qendrën për të moshuar, por me disa kufizime, përfshirë mbikëqyrjen elektronike.

Hetimet nisën pasi autoritetet amerikane morën, në tetor të këtij viti, informacione për fotografi të dyshimta të gjetura mes sendeve personale të Markle në Filipine, ku ai kishte jetuar më parë.

Sipas raportimeve të mediave, dyshimet për këto materiale u ngritën nga djali i tij, Thomas Markle Jr., gjysmëvëllai i Meghan Markle.

Më pas, hetuesit zbuluan se Markle kishte marrë me qira dy hapësira magazinimi në zonën e Los Angelesit që nga viti 2008. Pasi siguruan urdhër-arrestet dhe autorizimet përkatëse nga gjykata, agjentët e FBI-së kontrolluan të dyja hapësirat dhe sekuestruan rreth 78 artikuj.

Mes materialeve të sekuestruara kishte negativë fotografikë, diapozitiva dhe libra me përmbajtje që dyshohet se paraqet abuzim seksual ndaj fëmijëve.

Sipas dokumenteve të Departamentit amerikan të Drejtësisë, në dy fotografi pretendohet se shfaqet një burrë i rritur, të cilin një dëshmitar e ka identifikuar si Markle, pranë një vajze të zhveshur në moshë para pubertetit.

Në një fotografi të tretë paraqitet një vajzë e zhveshur në një dhomë, për të cilën hetuesit dyshojnë se mund të jetë pjesë e një hoteli në Filipine.

Gjithashtu, janë gjetur edhe fotografi të tjera ku, sipas hetuesve, Markle shfaqet pranë fëmijëve në shkallë të ndryshme të zhveshjes.

Për arrestimin e tij ka reaguar edhe drejtori i FBI-së, Kash Patel, i cili deklaroi se agjencia do të përdorë të gjitha burimet në dispozicion për të mbrojtur fëmijët dhe për të ndjekur penalisht personat e dyshuar për shfrytëzimin e tyre seksual.

Ndërkohë, Thomas Markle i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra të sëmura”. Ai ka pretenduar se nuk ka shkarkuar kurrë materiale të tilla.

Kundër tij është ngritur një aktakuzë federale për posedim të materialeve pornografike me të mitur. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me deri në 20 vjet burgim.

Meghan Markle, e cila i ka ndërprerë marrëdhëniet me të atin gati një dekadë më parë, ka deklaruar më herët se është thellësisht e tronditur nga akuzat e ngritura ndaj tij.

Ajo ka shpjeguar gjithashtu se vetë dhe bashkëshorti i saj, princi Harry, kanë vendosur të mos lejojnë që babai i saj të ketë kontakt me fëmijët e tyre, me qëllim mbrojtjen e tyre. /Telegrafi/

Lexo edhe

KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rrymës

KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rrymës

Dokumentari për shpëtimin e një familjeje hebreje gjatë Holokaustit, në fokus shqiptari nga Kosova Veli Meliqi

Dokumentari për shpëtimin e një familjeje hebreje gjatë Holokaustit, në fokus shqiptari nga Kosova Veli Meliqi

Ekskluzive | Kartolina, letra dhe një dyshim për drogë mes dy burgjeve – ky është i burgosuri, i përfshirë në rastin që zbuloi edhe dy raste të tjera

Ekskluzive | Kartolina, letra dhe një dyshim për drogë mes dy burgjeve – ky është i burgosuri, i përfshirë në rastin që zbuloi edhe dy raste të tjera