Mish i tymosur, proshutë e tymosur dhe produkte të tjera të mishit, janë shitur përmes rrjeteve sociale. Pas inspektimit nga Agjencia e Ushqimit, është konfirmuar se personi që i prodhonte dhe i shiste këto produkte nuk kishte autorizim, ndërsa produktet ishin përpunuar dhe ruajtur në kushte johigjienike.

Gjatë kontrolleve në Radovish nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, janë konfiskuar rreth 2 tonë mish të freskët dhe të ngrirë të pasigurt, si dhe produkte mishi, të cilat do të shkatërrohen në deponinë Drislla.
“Shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, gjatë ditës së djeshme, kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme në objektet e shitjes me pakicë të mishit, produkteve dhe përpunimeve të mishit në territorin e Komunës së Radovishit, si dhe te një person fizik në fshatin Pepelishte të Negotinës, i cili prodhonte dhe shiste përmes rrjeteve sociale produkte të tymosura të mishit dhe kërcëllitje derri. Nga Agjencia janë konfiskuar edhe 50 kilogramë produkte mishi, përfshirë mish të pjekur, kulen, proshutë të tymosur e të tjera. Produktet e konfiskuara nuk kishin deklaratë për origjinën dhe ishin ruajtur e përpunuar në kushte të papërshtatshme dhe johigjienike, gjë që paraqet rrezik serioz për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve.” thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Disa ditë më parë, në kontrollet e kryera në dy mishtore në Strugë dhe Ohër, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari konfiskoi dhe asgjësoi 1.000 kilogramë lukth pule dhe 55 kilogramë përgatitje mishi që përmbanin këtë produkt, importi dhe përdorimi i të cilit për konsum njerëzor janë të ndaluara.
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njofton se kontrollet do të vazhdojnë me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e shitjes së ushqimeve të pasigurta.




