ATLS Kosova pavarësohet, synon standarde të reja në trajtimin e traumave

ATLS Kosova pavarësohet, synon standarde të reja në trajtimin e traumave

ATLS Kosova pavarësohet, synon standarde të reja në trajtimin e traumave

Kursi ATLS, i zhvilluar nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve, u mundëson mjekëve të vlerësojnë shpejt gjendjen e pacientëve të lënduar rëndë, të identifikojnë dëmtimet që rrezikojnë jetën dhe të përcaktojnë ndërhyrjet prioritare. Në Kosovë, trajnimet kanë nisur në vitin 2023, në bashkëpunim me Sanford Medical Center në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mentor Ahmeti, nënkryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës,i cili ka drejtuar kursin ATLS, tha se Kosova ka resurse profesionale për ta kthyer këtë kurs,ndër kurset më të të mira të ATLS-it në Ballkan.

Sponsor 3M Express

“Jemi shumë të lumtur që kemi resurse njerëzore lokale, kaq të forta, që ta bëjmë një nga kurset më të forta në Ballkan të ATLS-it, edhe një nga kurset e vetme në Ballkan të ATLS-it. Është një arritje shumë e madhe e Shëndetësisë së Kosovës, që ka kalibër kaq të lartë të mjekëve dhe të administratorëve ta themelojë një kurs të tillë”, tha ai.

Pavarësimi i programit vjen pas punës shumëvjeçare të profesionistëve shëndetësorë, të cilët kanë kontribuar në organizimin e trajnimeve dhe ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e protokolleve të trajtimit të traumave.

Baton Kelmendi, i cili nga sot është drejtor i ATLS Kosova, tha se kjo ditë shënon përmbylljen e një procesi të gjatë dhe fillimin e një etape të re, nga e cila pritet të përfitojnë edhe pacientët.

“Arritëm në ditën kur po pavarësohet ATLS-i dhe po krijohet ATLS Kosova. Kjo më bën krenar mua, kolegët e mi, edhe është një hap i madh për Shëndetësinë e Kosovës, për shkak se për ata të cilët nuk janë në fushën e mjekësisë, aplikimi i hapave të ATLS-it në trajtimin e çfarëdo traume do të thotë jetë”, shtoi Kelmendi.

 

Rëndësinë e këtij zhvillimi për mjekësinë në vend e theksoi edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili vlerësoi se programi krijon mundësi që mjekët kosovarë të punojnë sipas të njëjtave standarde profesionale me kolegët e tyre ndërkombëtarë.

“Sot është një ditë e veçantë, për traumën, por përgjithësisht për mjekësinë në Kosovë. Me promulgimin e këtij kursi, mjekët tanë do të flasin të njëjtën gjuhë me kolegë kudo në botë, ku shpëtohet jeta e atyre që janë të lënduar”, tha Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e cilësoi pavarësimin si rezultat të përkushtimit të profesionistëve dhe institucioneve të përfshira, duke theksuar përgjegjësinë për të krijuar mundësi të reja për zhvillimin e ekspertizës vendore.

“Ky është një sukses i pamohueshëm i shëndetësisë kosovare, i cili nuk ishte arritur pa përkushtimin e të gjithë aktorëve, për të cilët, sinqerisht, dua t’i falënderoj secilin personalisht e institucionalisht për angazhimin e punën e madhe që e kanë bërë për realizimin e këtij hapi”, tha Vitia.

 

Për zhvillimin e programit ka kontribuar edhe Komuna e Prishtinës, e cila ka vënë në dispozicion hapësirat për mbajtjen e trajnimeve dhe ka mundësuar pjesëmarrjen pa pagesë të stafit të saj shëndetësor. Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, tha se mbështetja për nisma të tilla do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Me pavarësimin e ATLS Kosova, synohet që trajnimet të vazhdojnë të udhëhiqen nga profesionistët vendorë dhe që njohuritë e fituara të kontribuojnë në reagim më të shpejtë e më të strukturuar në rastet e traumave, ku ndërhyrja në kohë mund të jetë vendimtare për jetën e pacientit.

Burimi: RTKLive

Lexo edhe

Topalli për kontaktet mes veprimtarëve: Për disa grupe kemi mësuar vetëm më vonë

Topalli për kontaktet mes veprimtarëve: Për disa grupe kemi mësuar vetëm më vonë

Aktorja e njohur zbulon se i është nënshtruar një operacioni për ndryshimin e gjinisë: Unë jam grua

Aktorja e njohur zbulon se i është nënshtruar një operacioni për ndryshimin e gjinisë: Unë jam grua

Zhurma në veshë, kur duhet të vizitoni urgjentisht një mjek?

Zhurma në veshë, kur duhet të vizitoni urgjentisht një mjek?

ATLS Kosova pavarësohet, synon standarde të reja në trajtimin e traumave | Momenti