Administrata Tatimore e Kosovës ka shtuar kontrollet ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare përmes platformave online dhe shërbimeve postare.

Nga rreth 60 vizita dhe inspektime të realizuara në terren, ATK ka evidentuar 51 raste me parregullsi të ndryshme tatimore, përfshirë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike nga biznese të paregjistruara, mosdeklarimin e punëtorëve dhe shitjen e mallrave pa lëshuar kuponë fiskalë.
Sipas njoftimit të ATK-së, nga këto aktivitete, 36 raste janë rekomanduar për vlerësim dhe trajtim përmes sistemit ZGJONA, ndërsa janë shqiptuar gjithsej 24 gjoba.
Këto kontrolle janë realizuar në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, me qëllim të mbikëqyrjes së bizneseve që shesin online dhe formalizimit të këtij sektori, i cili vitet e fundit ka shënuar zhvillim të madh në Kosovë.
ATK ka theksuar se, pavarësisht numrit të bizneseve që tashmë janë të regjistruara dhe operojnë në mënyrë të formalizuar, në treg vazhdojnë të ketë subjekte që ushtrojnë veprimtari ekonomike përmes rrjeteve sociale dhe platformave të ndryshme online pa i përmbushur obligimet ligjore dhe tatimore.
Administrata Tatimore ka rikujtuar se çdo individ që ushtron veprimtari ekonomike, pavarësisht nëse shet përmes internetit apo në mënyrë tradicionale, është i obliguar ta regjistrojë biznesin, t’i formalizojë punëtorët, t’i deklarojë të ardhurat dhe t’i paguajë obligimet tatimore.
Në fund, ATK ka bërë të ditur se kontrollet ndaj këtij sektori do të vazhdojnë, në kuadër të përpjekjeve për identifikimin e aktiviteteve të paregjistruara, luftimin e ekonomisë joformale dhe garantimin e konkurrencës së drejtë ndërmjet bizneseve.
Burimi: Insajderi





