Hoffenheimi ka shënuar fitoren e tretë në sezon, duke e mposhtur Bayer Leverkusenin me rezultat 3-0, në një ndeshje ku Fisnik Asllani fitoi penalltinë që zhbllokoi rezultatin.

Sulmuesi shqiptar, Fisnik Asllani, ishte në fushë deri në minutën e 84-t, ndërsa Leon Avdullahu e zhvilloi të gjithë ndeshjen, duke kontribuar në suksesin e skuadrës së Hoffenheimit.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 78-të, kur gjyqtari Daniel Siebert, pas rishikimit të pamjeve përmes VAR-it, akordoi penallti për Hoffenheimin pas ndërhyrjes ndaj Asllanit në zonë.
Fisnik Asllani, duke festuar telegrafi.com
Një minutë më vonë, Andrej Kramarić mori përgjegjësinë dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Në minutën e 89-të, Alexander Prass realizoi një gol të bukur nga jashtë zonës, duke e dërguar topin fuqishëm në pjesën e sipërme të portës për 2-0. Ai hoqi fanellën dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.
Pavarësisht se mbeti me një lojtar më pak, Hoffenheimi arriti të shënonte edhe golin e tretë në minutën e 90+5-të. Max Moerstedt përfitoi nga një top i kthyer pas rrëmujës në zonë dhe shënoi nga afërsia, duke vulosur fitoren bindëse 3-0.
Me këtë sukses, Hoffenheimi siguron tri pikë të rëndësishme, me Asllanin që fitoi penalltinë vendimtare dhe Avdullahun që luajti të gjitha minutat e takimit. /Telegrafi/




