Asambleisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Elmi Fazliu, ka dorëzuar në Komunën e Prishtinës dy kërkesa që lidhen me rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e infrastrukturës në Hajvali.

Përmes një njoftimi, Fazliu ka bërë të ditur se ka kërkuar vendosjen e kamerave të sigurisë në hyrjet dhe daljet kryesore të Hajvalisë, në kryqëzime, pranë shkollave “Shkëndija” dhe “Afrim Gashi”, çerdheve, institucioneve publike dhe hapësirave rekreative.
Sipas tij, kamerat do të monitoroheshin nga Policia e Kosovës, me qëllim të parandalimit të dukurive negative, mbrojtjes së pronës dhe rritjes së sigurisë për banorët.
Krahas kësaj, Fazliu ka kërkuar edhe intervenim për rregullimin e ndriçimit publik në disa rrugë të Hajvalisë, ku sipas tij, mungesa e ndriçimit është shqetësim i kahershëm për banorët.
Ai ka theksuar se do të vazhdojë të adresojë kërkesat e qytetarëve pranë institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar zgjidhje konkrete për shqetësimet e tyre. /Telegrafi/




