Ish-mesfushori i Real Madridit dhe i Gjermanisë, Toni Kroos, ka komentuar rezultatet e ceremonisë së Topit të Artë, duke vlerësuar se Khvicha Kvaratskhelia do ta meritonte çmimin nëse votimi do të bazohej vetëm në paraqitjet gjatë sezonit.

Sulmuesi i Bayern Munichut, Harry Kane, u shpall fitues i Topit të Artë për sezonin e kaluar nga revista France Football.
Kroos beson se Kupa e Botës ka ndikim të madh në votimin për këtë çmim, veçanërisht kur ceremonia zhvillohet në një vit kur është organizuar ky turne madhor.
“Askush nuk i fitoi të gjithë trofetë që mund t’i fitonte. Në një vit të Kupës së Botës, votimi është ndryshe. Kupa e Botës ka një peshë të veçantë”, deklaroi gjermani.
Ai më pas veçoi Kvaratskhelian, i cili përfundoi në vendin e gjashtë në renditjen përfundimtare, duke e cilësuar si lojtarin më të mirë të skuadrës më të mirë në Evropë.
“Nëse e shikojmë vetëm këtë sezon, do të thosha se Kvaratskhelia ishte shumë i mirë. Unë do ta kisha zgjedhur atë. Sipas mendimit tim, ai ishte lojtari më i mirë në skuadrën më të mirë në Evropë”, u shpreh Kroos.
Ish-mesfushori i Real Madridit shtoi se vendi i gjashtë tregon se sulmuesi gjeorgjian do të kishte pasur mundësi shumë të mira për ta fituar çmimin nëse nuk do të ishte zhvilluar Kupa e Botës.
“Përfundoi i gjashti, gjë që, sipas meje, tregon se do të kishte pasur një shans shumë të madh për ta fituar çmimin pa Kupën e Botës, sepse të gjithë lojtarët që përfunduan para tij shkëlqyen në atë turne”, theksoi ai.
Kroos gjithashtu vlerësoi se pa ndikimin e Kupës së Botës, Kylian Mbappé dhe Lamine Yamal do ta kishin pasur më të vështirë të përfundonin në pesë vendet e para.
“Nëse nuk do të ishte zhvilluar Kupa e Botës, Mbappe nuk do të kishte përfunduar në pesë vendet e para. Edhe për Lamine Yamal do të kishte qenë e vështirë të hynte në pesëshen e parë pa titullin e Kupës së Botës”, përfundoi Kroos./Telegrafi/




