Frymëzuar nga vitet ’70, ky model me pelush rozë po rikthehet në një version që ndërthur elegancën retro me guximin modern. Ja si ta kombinoni për një pamje që tërheq vëmendjen

Gardërobën e vjeshtës zakonisht e lidhim me nuancat e karameles, çokollatës dhe të gjelbrës së errët. Mirëpo, këtë sezon, xhaketat më interesante sjellin një detaj që vështirë se mund të kalojë pa u vënë re – pelushin luksoz në ngjyrë rozë.
Ky trend shfaqet më së shumti te modelet e frymëzuara nga vitet ’70, me jaka të mëdha, mëngë me funde të theksuara dhe siluetën karakteristike të stilit boho. Bëhet fjalë për një version modern të xhaketave të famshme Penny Lane, të cilave ngjyra rozë u jep një pamje më romantike dhe shumë më të guximshme.
Rikthimi i xhaketës Penny Lane
Xhaketat Penny Lane e kanë marrë emrin nga personazhi i filmit Almost Famous dhe dallohen për prerjen retro dhe detajet prej pellushi. Tradicionalisht, ato prodhohen në nuancat e konjakut, ngjyrës bezhë të devesë, kamoshit dhe çokollatës së errët.
Versioni rozë e ruan karakterin vintage, por nuk duket më si një veshje e nxjerrë nga gardëroba e viteve ’70. Një jakë në rozë të ndezur ose në nuancë të butë pastel e ndryshon tërësisht pamjen e xhaketës, duke e shndërruar në elementin kryesor të kombinimit.
Si ta kombinoni pelushin rozë gjatë vjeshtës?
Zgjidhja më e thjeshtë janë xhinset me prerje të drejtë, një pulovër e zezë me jakë të lartë dhe çizmet prej lëkure. Xhaketa është mjaftueshëm tërheqëse, ndaj nuk ka nevojë për bizhuteri të mëdha, çanta shumëngjyrëshe apo aksesorë të shumtë.
Ngjyra rozë kombinohet veçanërisht bukur me disa nga nuancat karakteristike të vjeshtës: bordo, kafe çokollatë, gri, të zezë dhe xhinsin e errët.
Kombinimi me tonet kafe krijon një pamje më të ngrohtë dhe sjell atmosferën e viteve ’70, ndërsa e zeza dhe grija i japin xhaketës një karakter më modern dhe urban.
Një xhaketë që mund ta vishni edhe në mbrëmje
E njëjta xhaketë që gjatë ditës e kombinoni me xhinse dhe mokasina, në mbrëmje mund të vishet mbi një fustan të thjeshtë të zi.
Ajo përshtatet po aq bukur edhe me pantallona elegante, një bluzë të ngushtë dhe këpucë me majë të theksuar.
E rëndësishme është që pjesa tjetër e veshjes të jetë më e thjeshtë, veçanërisht nëse xhaketa ka jakë shumë voluminoze, nuancë të ndezur rozë apo detaje të tjera dekorative. Në këtë mënyrë, një veshje e vetme mund të bëhet pika qendrore e gjithë stilit.
Pelushi rozë mund të mos jetë zgjedhja më e zakonshme për ditët e ftohta, por pikërisht këtu qëndron edhe tërheqja e tij.
Pas disa sezonesh të dominuara nga xhaketat me ngjyra neutrale, ky trend rikthen gjallërinë, ngjyrat dhe lojën me stilin në kombinimet e vjeshtës, pa qenë nevoja të ndryshoni të gjithë gardërobën. /Telegrafi/




