Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk e konsiderojnë dorëheqjen si hap që do të kontribuonte në adresimin e përgjegjësive institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor.
Gërvalla, e pyetur për kërkesat për dorëheqjen e saj, ka deklaruar se do ta kishte ndërmarrë një hap të tillë nëse do të besonte se largimi nga detyra do të ndihmonte në identifikimin më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprimet dhe mosveprimet institucionale.

Ajo ka kërkuar që t’i lejohet të vazhdojë punën në adresimin e përgjegjësive dhe në mbështetjen e viktimave të dhunës në familje.
“Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi për të cilin do të kontribuonim për një identifikim më të saktë më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do kisha dhënë dorëheqje. Unë mendoj që pikërisht e kundërta është. Qytetari i Republikës së Kosovës e din që unë gjithë jetën time politike jam në anën e viktimave, me një kosto të lartë publike. Unë ju siguroj që viktimat e dhunës në familje aleatin më të fuqishëm sot e kanë te koordinatorja kombëtare, na lejoni të bëjmë punën tonë na lejoni që të kujdesemi që të vihen në pah të identifikohen dhe të adresohen përgjegjësitë dhe atëherë e diskutojmë përsëri çështjen e dorëheqjeve”, ka thënë Gërvalla.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk mendon të japë dorëheqje pas vrasjes së Zekajt.
Ai ka përmendur se para dhjetë vjetësh kishte dhënë dorëheqje nga një pozitë, ndonëse, sipas tij, nuk kishte pasur përgjegjësi për rastin e atëhershëm, me arsyetimin se largimi i tij mund të kontribuonte në përmirësimin e praktikave në atë fushë.
Megjithatë, Sveçla ka thënë se këtë herë nuk beson se dorëheqja do të ndihmonte në fuqizimin e grave dhe në avancimin e të drejtave të tyre.
“Para 10 vitesh kam dhënë dorëheqje nga pozita… pa pasë kurrfarë përgjegjësie për rastin e atëhershëm, duke menduar se dorëheqja ime do të kontribuonte në përmirësimin e praktikave në atë fushë, tash unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas, në të drejtat e saj se ne jemi të angazhuar qind për qind në atë pikë. Jam me protestuesit, e kuptoj indinjatën dhe mllefin e protestuesve”, ka deklaruar Sveçla.
Burimi: Dukagjini




