Një person është arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se është paraqitur rrejshëm si punonjës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke u kërkuar qytetarëve para në këmbim të punësimit në këtë institucion.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari me inicialet D.N. dyshohet se nga fillimi i vitit 2025 e deri në raportimin e rastit, u kishte kërkuar personave të ndryshëm shuma parash, duke u premtuar punësim në AKI.
Rasti ishte raportuar në tetor të këtij viti, ndërsa arrestimi është realizuar më 21 tetor, pas veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave e dëshmive.
Hetimet janë zhvilluar nga Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes nga personat që premtojnë punësim në institucione publike në këmbim të parave dhe që rastet e tilla t’i raportojnë në polici.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




