Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë zhvilluar veprime hetimore lidhur me rastin e raportuar gjatë tetorit të këtij viti.
Pas mbledhjes së provave dhe dëshmive, më 21 tetor është arrestuar i dyshuari me inicialet D.N., i cili dyshohet se nga fillimi i vitit 2025 e deri në raportimin e rastit është paraqitur në mënyrë të rreme si punonjës i AKI-së, duke kërkuar shuma të ndryshme parash në këmbim të punësimit në këtë institucion.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa procedurat ligjore do të vazhdojnë në përputhje me ligjin.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj personave që pretendojnë se mundësojnë punësim në institucionet publike në këmbim të parave, si dhe të raportojnë raste të tilla në organet kompetente.
Burimi: RTKLive




