Një 38-vjeçar shqiptar ka përfunduar në prangat e Policisë në Reggio Emilia të Italisë, pasi u kap me rreth 35 gramë kokainë, të ndarë në doza, gjatë një kontrolli në orët e para të mëngjesit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00, në natën mes 2 dhe 3 nëntorit, në rrugën “Via dei Gonzaga”, ku efektivët e Policisë së Shtetit, gjatë patrullimit, vunë re një skuter që po lëvizte me shpejtësi të lartë.
Në mjet ndodheshin dy persona, të cilët ndaluan pasi policia u dha urdhër për të ndaluar, shkruan media italiane “Agenzia Giornalistica Opinione”.
Gjatë kontrollit, 38-vjeçari shqiptar, i cili ishte pasagjer në skuter, tentoi të largonte vëmendjen nga vetja duke hedhur një pako në anë të rrugës.
Megjithatë, veprimi i tij u vërejt nga efektivët, të cilët ndërhynë menjëherë dhe sekuestruan pakon.
Pas kontrollit, u konstatua se ajo përmbante rreth 35 gramë kokainë, të ndarë paraprakisht në doza.
Sipas policisë italiane, 38-vjeçari kishte edhe precedentë të mëparshëm për vepra të ngjashme penale.
Ai u arrestua nën dyshimin për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shitjen dhe u vu në dispozicion të autoriteteve gjyqësore, në pritje të seancës për vleftësimin e arrestimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




