Vrasja e Arlinda Zekajt, 49-vjeçares nga Peja, ka nxitur protesta në Prishtinë, ku qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe përgjegjësi institucionale për rastin.

Protestuesit janë mbledhur të mërkurën në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga kanë marshuar drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor, Policisë së Kosovës dhe ndërtesës së Qeverisë.
Gjatë protestës, ata kanë mbajtur pankarta me mesazhe si “Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, ndërsa kanë kërkuar hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që mund të kenë neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt.
Liridona Sijarina, nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka deklaruar para ndërtesës së Qeverisë se protestat do të vazhdojnë çdo ditë, derisa të plotësohen kërkesat e protestuesve.
Gjatë tubimit, para ndërtesës së Qeverisë janë ndezur fishekzjarrë, ndërsa dyert e objektit janë lyer me ngjyrë të kuqe. Protestuesit kanë brohoritur “Dorëheqje, dorëheqje”.
Organizatorët kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës së radhës të enjten, në orën 16:00, duke paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit deri në përmbushjen e kërkesave.
AAK-ja kërkon dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës
Kërkesave të protestuesve u është bashkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila, përmes një komunikate për media, ka vlerësuar se vrasja e Arlinda Zekajt dëshmon dështimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave.
Sipas AAK-së, përgjegjësia politike për këtë dështim bie mbi Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Partia ka kërkuar dorëheqjen e Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, si dhe ndryshimin urgjent të strategjisë për mbrojtjen e grave nga dhuna.
“Përgjegjësia nuk mund të përfundojë vetëm te zyrtarët e nivelit të ulët në polici apo prokurori”, thuhet në reagimin e AAK-së, e cila ka theksuar se përgjegjësia duhet të nisë nga drejtuesit e institucioneve.
Arlinda kishte urdhër mbrojtjeje, KGJK-ja inspekton dosjen gjyqësore
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për vrasjen, ish-kunati i saj, Albert Sylaj, u arrestua më 27 tetor, ndërsa Gjykata Themelore në Pejë i caktoi një muaj paraburgim nën dyshimin për veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Rasti ka ngritur pikëpyetje për veprimet e institucioneve, pasi viktima kishte kërkuar mbrojtje dhe kishte paralajmëruar për rrezikun para se të vritej.
Sipas raportit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Arlinda Zekaj kishte urdhër mbrojtjeje që nga 7 shtatori 2026, i cili kishte mbetur në fuqi deri në ditën e vrasjes.
Më 17 shtator, ajo i ishte drejtuar me ankesë kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, duke pretenduar se gjyqtari që trajtonte rastin e saj kishte vepruar në kundërshtim me ligjin dhe jashtë afateve ligjore.
Përgjigjja me shkrim nga Gjykata i ishte dërguar më 20 tetor, vetëm pesë ditë para se ajo të vritej.
Po ashtu, tri ditë para vrasjes, Zekaj i ishte drejtuar me një letër Prokurorisë në Pejë, duke paralajmëruar për rrezikun që i kanosej.
Pas vrasjes, KGJK-ja urdhëroi inspektimin e dosjes gjyqësore. Në raportin e publikuar më 28 tetor, institucioni konstatoi se Gjykata kishte nxjerrë urdhër mbrojtjeje dhe se vendimet përkatëse i ishin dërguar Policisë së Kosovës për zbatim.
Megjithatë, raporti nuk sqaron nëse masat e mbrojtjes ishin zbatuar në praktikë.
KGJK-ja bëri të ditur gjithashtu se Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen, nuk figuronte në dosjen e urdhrit të mbrojtjes. Në atë procedurë ishin përfshirë vetëm viktima dhe bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj.
Ndërkohë, aktakuza e Prokurorisë ndaj bashkëshortit të viktimës kishte mbërritur në Gjykatë më 26 tetor, një ditë pas vrasjes.
KGJK-ja ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave ndaj zyrtarëve për të cilët mund të konstatohet se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
Pas arrestimit të Albert Sylajt, Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




