Leonida Molliqaj nga organizata joqeveritare “QIKA” ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila tha se Arlinda Zekaj i ishte drejtuar drejtësisë, por fatkeqësisht jo Qeverisë, duke shtuar se ndoshta do të kishte pasur angazhim po t’i drejtohej asaj.
E ftuar në Debat Plus në TV Dukagjini, Molliqaj ka vënë në pikëpyetje deklaratën e Gërvallës, duke kërkuar sqarim se si një qytetare duhet t’i drejtohet Qeverisë për të kërkuar mbrojtje nga dhuna dhe për të shpëtuar jetën.

Ajo ka kërkuar përgjegjësi politike për deklaratën e ministres, duke thënë se në mungesë të një shpjegimi bindës, duhet të ketë dorëheqje.
“Pse duhet me shku një qytetare e Kosovës, çka nënkupton kjo? A i bie që duhet me pas marrëdhënie të afërta me ministren, a i bie që duhet me njofto zotin Kurti, a i bie me njofto dikë në ndonjë ministri të caktuar? Qysh shkon një qytetar me kërku me iu mbrojt jeta ose të shpëtojë prej vrajes në qeveri? Nëse ka shpjegim do të kisha pas qef me digju. Përndryshe vetëm dorëheqje asnjë shpjegim tjetër. Ose duhet me dal me shpjegu ose kjo është ofendim që bëhet për krejt aktivizimin në rrugë e zyre për të luftuar dhunën në baza gjinore”, ka deklaruar Molliqaj.
Burimi: Dukagjini




