Në aktgjykimin e datës 7 tetor 2026, Departamenti Special i Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë e kishte vërtetuar drejt gjendjen faktike dhe nuk kishte shkelje procedurale që do të kushtëzonin anulimin e vendimit.
Sipas aktgjykimit, provat kanë vërtetuar se Selimi kishte bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, BIA, duke ndarë informacione për aktivitetet e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vrasjet gjatë luftës dhe personat e radikalizuar, përfshirë pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën në Siri.

Gjykata konstaton se Selimi ishte paguar deri në 700 euro në muaj dhe ishte furnizuar me telefona për komunikim me zyrtarët e BIA-s. Apeli e ka vlerësuar të pabazuar pretendimin e mbrojtjes se ai kishte vepruar në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, pasi në shkresat e lëndës nuk kishte prova që dëshmonin rekrutimin e tij nga AKI-ja.
Në arsyetimin për dënimin, Apeli ka marrë parasysh kohëzgjatjen e bashkëpunimit me BIA-në, pagesat e pranuara dhe udhëtimin në Siri, ndërsa si rrethanë lehtësuese ka vlerësuar kontributin e Selimit në zbardhjen e çështjes përmes deklarimeve të tij.
Me këtë vendim, mbetet në fuqi aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i 15 qershorit 2026, me të cilin Selimi u dënua me gjashtë vjet burgim efektiv.
Burimi: RTKLive




