Gjykata e Apelit në Shkup ka arsyetuar vendimin për anulimin e aktgjykimit lirues për babanë e Vanja Gjorçevskës, Aleksandar Gjorçevski, duke theksuar se disa prova dhe rrethana nuk ishin shqyrtuar mjaftueshëm gjatë procedurës së shkallës së parë.

Një nga çështjet kryesore për të cilat gjykata kërkon përgjigje është se nga kishte ardhur informacioni për kohën kur Vanja do të dilte nga shtëpia dhe do të nisej drejt shkollës.
Sipas arsyetimit të Apelit, Gjykata Themelore Penale në Shkup nuk i kishte vlerësuar plotësisht provat që lidhen me sjelljen e Gjorçevskit para dhe pas rrëmbimit të vajzës së tij.
Për këtë arsye, gjatë rigjykimit duhet të shqyrtohen në detaje dëshmitë e Velibor Manevit, Vllatko Keshishev dhe Bore Videvskit, si dhe rrethanat në të cilat ishin marrë vendimet për rrëmbimin.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet ngjarjeve të 24 dhe 27 nëntorit 2023, përkatësisht lidhjes kohore mes përpjekjes së mëparshme të pasuksesshme për rrëmbim dhe ditës kur vajza u rrëmbye dhe u vra.
Gjatë procesit të mëparshëm gjyqësor, të akuzuarit pretenduan se Ljupço Palevski – Pallço u kishte përcjellë informacionin se Vanja do të shkonte vetë në shkollë, duke pohuar se ky informacion dyshohej se kishte ardhur nga babai i saj.
Pikërisht këto pretendime dhe provat që lidhen me to duhet të shqyrtohen përsëri, pa u paragjykuar faji i Gjorçevskit.
Avokati i Aleksandar Gjorçevskit, Vlladimir Tufegxhiq, nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës së Apelit.
Sipas tij, gjykata mund të kishte ndërhyrë në arsyetimin e aktgjykimit, nëse konsideronte se kishte paqartësi, në vend që ta kthente çështjen në rigjykim.
Tufegxhiq pretendon se Apeli ka konfirmuar mungesën e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të lidhjes mes Gjorçevskit dhe të akuzuarve të tjerë. Ai konsideron gjithashtu se nuk është dëshmuar motivi që Prokuroria e kishte lidhur më herët me pronën e paluajtshme.
Avokati kundërshton edhe vlerësimin e sjelljes së babait gjatë periudhës kur vajza ishte zhdukur, duke theksuar se duhet të merret parasysh gjendja në të cilën ndodheshin prindërit.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimet me burgim të përjetshëm për Ljupço Palevskin – Pallço, Velibor Manevin, Bore Videvskin dhe Vllatko Keshishevin, të dënuar për rrëmbimet dhe vrasjet e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit.
Aleksandar Gjorçevski, i cili më parë ishte liruar nga akuza për ndihmë në rrëmbimin e vajzës së tij, do të përballet përsëri me procedurë gjyqësore.
Anulimi i aktgjykimit lirues nuk nënkupton shpalljen e tij fajtor, por do të thotë se gjykata duhet t’i shqyrtojë përsëri provat dhe të marrë një vendim të ri.




