Antonio Conte ka reaguar ndaj raportimeve që e lidhin me një kalim të mundshëm te Manchester Unitedi, duke mohuar se është në negociata të avancuara me ndonjë klub.

Gazeta italiane La Repubblica raportoi të enjten se trajneri italian kishte zhvilluar bisedime me drejtuesit e Manchester Unitedit për ta zëvendësuar Michael Carrickun, pas humbjes së rëndë 4-1 ndaj Comos së Cesc Fabregasit në Ligën e Kampionëve.
Sipas raportimit, Conte kishte kërkuar kontroll të plotë mbi politikën e transferimeve të klubit, si dhe mundësinë për ta zgjedhur vetë stafin e tij teknik në Old Trafford.
Megjithatë, trajneri italian ka dalë publikisht për ta sqaruar situatën, duke mohuar se ka arritur në një fazë të avancuar të negociatave me ndonjë skuadër. Sipas BBC Sport, Conte është i interesuar për mundësinë që të marrë drejtimin e Manchester Unitedit, por deri më tani nuk ka bisedime të avancuara.
“Emri im është lidhur me shumë klube, por aktualisht nuk ka negociata në fazë të avancuar”, ka shkruar Conte në Instagram.
“Kam lexuar raportime për kërkesa financiare dhe për kërkesën që të kem kontroll të plotë, të cilat pretendohet se ua kam bërë tashmë klubeve të përmendura, si dhe për rezervat ndaj asaj që është përshkruar si ‘personaliteti im i fortë’. Këto raportime janë të pabazuara”, ka theksuar italiani.
Conte ka shtuar se vetëm në rast të një oferte konkrete do të ishte momenti për të diskutuar kushtet e mundshme të marrëveshjes, duke marrë parasysh nevojat e të dyja palëve dhe mënyrën e tij të punës si trajner.
E ardhmja e Carrickut në Old Trafford është vënë në pikëpyetje pas humbjes së thellë ndaj Comos, ndërsa drejtuesit e klubit mund të detyrohen ta shqyrtojnë situatën nëse rezultatet negative vazhdojnë.
Conte aktualisht është pa klub, pasi u largua nga Napoli në fund të sezonit të kaluar. Gjatë aventurës së tij në Itali, ai fitoi titullin e Serie A në sezonin e parë në krye të skuadrës napolitane, ndërsa në sezonin e fundit triumfoi në Superkupën e Italisë.
Në karrierën e tij, 57-vjeçari ka drejtuar edhe Chelsean, me të cilin fitoi Ligën Premier në sezonin 2016/17 dhe arriti të fitonte Kupën FA një vit më vonë, pasi mposhti Manchester Unitedin në finale./Telegrafi/




