Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka riafirmuar synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, duke vlerësuar se ky proces do të kontribuonte në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Konjufca i bëri këto deklarata gjatë një takimi me një delegacion të Komisionit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të përbërë nga përfaqësues të nëntë shteteve anëtare të Aleancës.

“Sot prita në një takim miqësor një delegacion nga Komisioni Politik i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të përberë nga përfaqësues të 9 shteteve anëtare. Në një bisedë të hapur e miqësore, riafirmova përcaktimin e palëkundur të Kosovës për anëtarësim në Aleancën veriatlantike dhe bindjen se ky anëtarësim do t’i shërbente sigurisë afatgjatë të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Anëtarësimi në NATO do t’i jepte shprehje institucionale një përkatësie të rrënjosur në vetëdijen politike të popullit tonë. Lidhja e Kosovës me botën euroatlantike mbështetet në historinë e çlirimit tonë dhe në vlerat demokratike mbi të cilat kemi ndërtuar Republikën. Në këtë synim shtetëror gjen shprehje një vullnet i gjerë qytetar, përmbushja e të cilit mbetet synim themelor i politikës sonë të jashtme.
E vlerësova mbështetjen që Asambleja Parlamentare e NATO-s i ka dhënë Kosovës dhe kontributin e diplomacisë parlamentare në afrimin tonë me Aleancën. Në Ballkanin Perëndimor na duhet një siguri që u qëndron ndryshimeve politike dhe e kufizon hapësirën ndaj përpjekjeve për destabilizim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta forconte këtë siguri, duke e vendosur vendin tonë brenda sistemit të mbrojtjes kolektive dhe duke zgjeruar bashkëpunimin ndërmjet aleatëve në rajon. Sigurinë që e kemi ndërtuar bashkë me aleatët tanë duam ta mbrojmë si anëtarë të së njëjtës Aleancë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Burimi: Dukagjini




