Ambasada e Kosovës në Francë ka mirëpritur artistët kosovarë në Paris, në një takim ku u diskutua për rrugëtimin e tyre artistik, sukseset ndërkombëtare dhe mundësitë e bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Francës.

Në takimin e mbajtur dy ditë më parë, ambasadori i Kosovës në Francë, së bashku me stafin e ambasadës, priti artistët Brilant Milazimi, Arrita Katona, Ermir Zhinipotoku, Luiza Thaqi dhe Erleta Matoshi, shkruan Telegrafi.
Vëmendje e veçantë iu kushtua suksesit të artistit Brilant Milazimi, pjesëmarrja e të cilit në Art Basel Paris, pas prezantimit në Bienalen e Lionit, shënon një tjetër prezantim të artit kosovar në platformat e rëndësishme ndërkombëtare.
Ndërkohë, Arrita Katona, Ermir Zhinipotoku dhe Luiza Thaqi po qëndrojnë në rezidencën artistike Cité internationale des arts në Paris, në kuadër të programit “Shtëpi”, i realizuar në partneritet me Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Ky program synon t’u krijojë artistëve mundësi për zhvillim krijues, shkëmbim përvojash dhe bashkëpunime me artistë e institucione ndërkombëtare.
Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Ambasada e Kosovës në Francë ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë dhe promovojë krijuesit kosovarë, të cilët përmes punës dhe prezantimeve të tyre ndërkombëtare kontribuojnë në afirmimin e kulturës së Kosovës jashtë vendit./Telegrafi/’




