Alpine po përgatit një veturë të re sportive elektrike me katër ulëse, e cila do të ketë një dizajn krejtësisht modern, pa elemente retro nga modelet e mëparshme të markës. Vendimi është marrë nga drejtori ekzekutiv i kompanisë, Philippe Krief, pas debateve të brendshme mes stilistëve për drejtimin që duhej të ndiqte modeli i ri.

Një pjesë e dizajnerëve dëshironin që vetura e re, me konfigurim 2+2 ulëse, të frymëzohej nga Alpine A310, modeli me formë karakteristike në trajtë pyke, i prodhuar gjatë viteve 1970 dhe 1980, transmeton Telegrafi.
Të tjerë mbështesnin një pamje më të pastër dhe futuriste, të frymëzuar nga koncepti Alpenglow. Krief e ka përjashtuar tashmë mundësinë e rikthimit të stilit të vjetër, duke deklaruar se modeli do të ketë një identitet të veçantë dhe pamje “shumë, shumë moderne”.
Vetura e re do të ndërtohet mbi platformën modulare Alpine Performance Platform (APP), e projektuar për të mbështetur lloje të ndryshme karrocerish dhe sistemesh motorike.
Gjenerata e ardhshme e modelit A110 do të jetë vetura e parë sportive që do të përdorë këtë platformë, ndërsa pasardhësi i saj elektrik pritet të mbërrijë rreth vitit 2027. Kompania ende nuk ka bërë të ditur një datë të saktë të daljes në shitje.
Modeli i ri 2+2 nuk do të kopjojë as pamjen e A110-s dhe as atë të konceptit A310 Vision, i cili tërhoqi vëmendje në panairin e automjeteve në Paris. Alpine e prezanton këtë të fundit si një studim të pavarur dizajni, të frymëzuar nga A310 origjinale dhe të krijuar për të demonstruar mundësitë e platformës APP.
Krief ka shpjeguar se vendimi lidhet edhe me njohjen e modeleve historike nga publiku ndërkombëtar. Sipas tij, A110 konsiderohet një veturë me bukuri të përjetshme dhe njihet në mbarë botën, ndërsa A310 vlerësohet kryesisht nga publiku francez dhe entuziastët e automobilizmit, duke pasur një tërheqje më të kufizuar.
Për momentin, A310 Vision nuk ka një pasardhës të konfirmuar për prodhim serik dhe do të mbetet një projekt eksperimental dizajni. Krief ka lënë të hapur vetëm mundësinë e prodhimit të një serie shumë të kufizuar të një modeli të frymëzuar nga A310, pa marrë ende vendim përfundimtar.
Ai e krahasoi këtë ide me A110 Ultime, një version special i krijuar si model lamtumire. Krief tha se vetura të tilla nuk prodhohen për të gjeneruar fitime, duke shtuar se, me përjashtim të Ferrari-t, pak kompani arrijnë të fitojnë para nga ky lloj projekti.
Ende nuk është vendosur se cili model do të vijë i pari pas A110-s: vetura e re elektrike me katër ulëse apo një version special i frymëzuar nga A310. Sipas Krief, vendimi do të varet nga njohja e markës, kërkesa e klientëve dhe aftësia e rrjetit të shitësve për të qenë fitimprurës pasi A110 të jetë në treg. /Telegrafi/




