Vendimi është marrë të hënën nga gjyqtari sportiv i Serie A, pas barazimit 3:3 të së shtunës mes Napolit dhe Romës.
Allegri është përjashtuar me karton të kuq pas golit të vonshëm të Leonardo Balerdit, i cili e ka barazuar rezultatin për Romën. Trajneri i Napolit ka kundërshtuar golin, duke pretenduar se gjatë aksionit paraprak ishte shkaktuar faull. Ai ka reaguar me zemërim pasi sistemi VAR e ka konfirmuar golin.

Sipas vendimit disiplinor, Allegri ka bërë një koment fyes ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe më pas, në dhomat e zhveshjes, ka mbajtur qëndrim agresiv ndaj një zyrtari të ekipit kundërshtar.
Napoli ka njoftuar se do të paraqesë ankesë ndaj këtij vendimi.
Ndërkohë, Allegri pritet të mungojë në dy ndeshjet e ardhshme të kampionatit italian, kundër Monzas të mërkurën dhe Juventusit të dielën.
Napoli, që renditet në vendin e dhjetë, po kalon një periudhë të vështirë, pasi ka fituar vetëm një nga katër ndeshjet e fundit në Serie A.
Pas ndeshjes me Romën, Allegri i ka mohuar akuzat për fyerje ndaj zyrtarëve, duke thënë se nuk ka thënë asgjë të papërshtatshme.
“Zyrtari i katërt e ka thirrur gjyqtarin dhe ka bërë që të përjashtohem, por unë nuk kam thënë absolutisht asgjë”, ka deklaruar Allegri.
Burimi: RTKLive




