Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka kujtuar 32-vjetorin e emërtimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), më 17 nëntor 1994.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka bërë të ditur se ky vendim u mor në qytetin Aarau të Zvicrës, ku emri i UÇK-së mori formë zyrtare dhe më pas u shndërrua në simbol të luftës për liri.

“Për mua dhe për gjithë brezin e atdhetarëve që jetuam, vepruam dhe sakrifikuam me idealin e çlirimit kombëtar, 17 Nëntori i vitit 1994 mbetet një datë e veçantë, me peshë të madhe historike dhe kombëtare, e lidhur pazgjidhshmërisht me rrugëtimin tonë të gjatë drejt lirisë”, ka shkruar Ahmeti.
Sipas tij, emërtimi i UÇK-së, ishte një vendim me rëndësi historike.
“Emërtimi i UÇK-së, ishte një vendim me rëndësi historike, që shënoi një kthesë të madhe në organizimin e luftës së armatosur çlirimtare dhe hapi një kapitull të ri në historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri, dinjitet dhe të drejta kombëtare.
Në këtë përvjetor, me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme, kujtojmë të gjithë ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi të madh historik, që kontribuuan, qëndruan dhe luftuan për ta shndërruar idealin shekullor të lirisë në realitet”, theksoi ai më tutje, transmeton Klan.




