Aleksandar Vuçiqi rrëzohet nga lëvizja studentore në zgjedhjet që tronditën vendin

Aleksandar Vuçiqi rrëzohet nga lëvizja studentore në zgjedhjet që tronditën vendin

Aleksandar Vuçiqi rrëzohet nga lëvizja studentore në zgjedhjet që tronditën vendin

Nga: Ashifa Kassam dhe Ana Milosavleviq në Beograd / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Sponsor 3M Express

Udhëheqësi prej shumë vitesh i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar humbjen, duke hapur rrugën për një ndryshim të thellë politik pas zgjedhjeve historike, në të cilat udhëheqësi gjithnjë e më autoritar u përball me një lëvizje të udhëhequr nga studentët, e cila kishte kaluar dy vjet duke protestuar kundër qeverisë së tij.

Vuçiqi iu referua rezultateve paraprake, të cilat tregonin se votuesit i kishin mbështetur në mënyrë dërrmuese studentët, duke u dhënë atyre potencialisht shumicën në parlamentin 250-vendësh të vendit.

“Ende nuk i kemi rezultatet përfundimtare”, u tha Vuçiqi mbështetësve në selinë e partisë së tij në Beograd. “Në bazë të një kampioni … është e qartë se ne i kemi humbur këto zgjedhje, Lista Studentore ka fituar, ata do të kenë mes 135 dhe 140 vende, ndërsa ne do të kemi 105”.

Një kampion përfaqësues i përgatitur nga institutet e sondazheve CeSID-IPSPS tregonte se lista e kandidatëve të Listës Studentore do të kishte 138 deputetë, ndërsa Partia Progresive Serbe (SNS) e djathtë e Vuçiqit kishte siguruar 104 vende. Sipas instituteve të sondazheve, vendet e mbetura kishte të ngjarë të ndaheshin mes partive të pakicave kombëtare etnike.

Kur u përhap lajmi se 12 viteve të Vuçiqit në pushtet u kishte ardhur fundi, në rrugët e Beogradit dhe të qyteteve të tjera shpërthyen festimet.

Në kryeqytet, Ivana, 43 vjeçe, ishte e ngazëllyer. “Për mua kjo ndihet si nata e Vitit të Ri, si tri net të Vitit të Ri njëherësh, vërtet”, tha ajo. “Më në fund mund të marrim frymë sërish”. Ajo shtoi se shpresonte që anëtarët kryesorë të regjimit të rrëzuar të viheshin shpejt para përgjegjësisë, një premtim kyç i fushatës së Listës Studentore.

Të tjerët u shtrëngonin duart policëve në rrugë, përplasnin pëllëmbët me ta dhe i përqafonin, ndërsa nga makinat që kalonin dëgjohej një kor borish.

Në selinë e Listës Studentore, mbështetësit brohorisnin “Fitore, fitore!”, ndërsa duartrokisnin, qanin dhe përqafoheshin. “E dashur Serbi, sonte po dëgjohet zëri i popullit”, tha Radomir Saiçiq, profesor në Universitetin e Beogradit, duke folur në emër të studentëve në selinë e tyre. “Sonte festojmë fitoren, nesër ndërtojmë të ardhmen”,

Skenat e gëzimit erdhën disa orë pasi një numër rekord votuesish dolën të votonin të dielën. Në të gjithë vendin, radhë të gjata shtriheshin jashtë qendrave të votimit, ndërsa në disa prej tyre raportohej se pritja zgjaste deri në dy orë. Deri në orën 19:00, sipas kohës vendore, institutet e sondazheve dhe vëzhguesit CeSID dhe Ipsos e vlerësuan pjesëmarrjen në 67.6 përqind, më e larta që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1992.

Pjesëmarrja e lartë, së bashku me rreth 150 mijë njerëzit që u dyndën në tubimin e fundit të studentëve para zgjedhjeve javën e kaluar në Beograd, nxiti që herët spekulimet se studentët mund të kishin grumbulluar mbështetje të mjaftueshme për të hapur një epokë të re politike në vendin ballkanik.

Në prag të votimit, sondazhet e opinionit kishin ndryshuar jashtëzakonisht shumë nga njëri-tjetri, ndërsa analistët vinin në dukje shkallën e lartë të pasigurisë, teksa kandidatët që përfaqësonin lëvizjen studentore nga baza përballeshin me SNS-in e Vuçiqit.

Rezultatet u ndoqën në mbarë botën si pjesë e 10 ditëve vendimtare zgjedhore në vende të ndryshme të globit, gjatë të cilave e djathta autoritare po përballet me forcat pro demokracisë. Fitorja e lëvizjes së udhëhequr nga studentët në Serbi ka gjithashtu gjasa të ketë jehonë në mbarë Evropën, duke u dhënë shtysë protestave të të rinjve dhe studentëve që kanë tronditur qytete në të gjithë kontinentin.

Ndërsa njerëzit prisnin të dilnin rezultatet e zgjedhjeve, në internet kishin nisur të qarkullonin spekulime nëse Vuçiqi do të përpiqej të qëndronte në pushtet pavarësisht rezultatit. Megjithatë, pranimi i shpejtë i humbjes prej tij të kujtonte aleatin e tij, Viktor Orbánin, në Hungarinë fqinje gjashtë muaj më parë, duke ushqyer shpresat për një ringjallje demokratike në Evropën Qendrore.

Zgjedhjet me shumëçka në lojë në këtë vend kandidat për në BE e kanë zanafillën në nëntor të vitit 2024, kur një strehë betoni u shemb në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, duke vrarë 16 njerëz. Tragjedia shkaktoi protesta mes studentëve, të cilat u shndërruan me shpejtësi në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë, teksa provat tregonin se për shembjen e strehës faji ishte te ndërtimi i bërë shkel e shko, mashtrimi dhe korrupsioni.

Teksa Vuçiqi – udhëheqësi gjithnjë e më autoritar që ka mbizotëruar politikën serbe për më shumë se një dekadë – përballej me presionin në rritje nga studentët, muajin e kaluar dha dorëheqjen nga posti i presidentit për të provuar fatin me zgjedhje të parakohshme.

Studentët e shfrytëzuan mundësinë për ta shndërruar lëvizjen në fuqi politike. Ata shpallën një listë prej 250 kandidatësh për parlamentin me 250 vende – nga akademikë te sportistë e fermerë – ndërsa u bënë thirrje votuesve të mbështesnin përpjekjen e tyre për të rindërtuar ekonominë e Serbisë dhe për të rivendosur demokracinë e saj.

Fushata i vuri ata përballë monolitit politik të partisë SNS të Vuçiqit, duke i lënë në një betejë të vështirë kundër një partie në pushtet që kishte marrë nën kontroll pothuajse të gjitha kanalet televizive e radiofonike dhe që përdorte ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore si mjete politike.

Vuçiqi ishte përpjekur vazhdimisht t’i minonte studentët duke i akuzuar se ishin vegla të fuqive të huaja, një akuzë të cilën studentët e kanë hedhur poshtë. Teksa premtonte rritjen e pensioneve dhe të pagave në sektorin publik, Vuçiqi u përpoq ta paraqiste veten si një udhëheqës të aftë për të ruajtur ekuilibrin e vështirë diplomatik mes lidhjeve të vendit me Perëndimin dhe me Rusinë e Kinën, për ta udhëhequr Serbinë përmes pasigurive globale.

Të patrembur, studentët dolën në rrugë, organizuan tubime, shkuan në zonat rurale të cilat prej kohësh kishin qenë bastione të Vuçiqit dhe trokitën derë më derë, ndërsa përpiqeshin ta paraqisnin veten si kandidatë kundër establishmentit dhe t’i bashkonin votuesit rreth parullës së tyre: “Serbia apo Mafia”?

Mesazhi u përsërit të dielën, kur Dejan Bodiroga, kandidat i Listës Studentore, hodhi votën e tij në Beograd.

“Sot, mbi të gjitha, Serbia po lufton për lirinë dhe për rikthimin e një shteti që është rrëmbyer”, u tha Bodiroga gazetarëve. “Serbia po voton sot për të vendosur se cilin drejtim do të marrë – drejt së ardhmes apo së shkuarës”.

Në prag të votimit të së dielës, si vëzhguesit ndërkombëtarë, ashtu edhe ata vendas të zgjedhjeve, shprehën shqetësime për ndalime dhe për raportime mbi mbikëqyrjen dhe sulmet kibernetike ndaj aktivistëve.

Të dielën, grupe të pavarura monitorimi paralajmëruan për raste të regjistruara të fotografimit të fletëve të votimit, që sugjeronin presion ndaj votuesve, përpjekje për blerje votash dhe votim karusel.

Mes tyre ishte Rasha Nedeljkov nga organizata e monitorimit të zgjedhjeve CRTA, i cili tha se “vazhdon të regjistrohet një numër i madh parregullsish, ndërsa incidentet e dhunshme jashtë qendrave të votimit po bëhen gjithashtu gjithnjë e më të shpeshta”. /Telegrafi

Lexo edhe

Gjini pas vrasjes së Arlindës: Nëse rasti kalon pa përgjegjësi, institucionet janë spektatore të krimit

Gjini pas vrasjes së Arlindës: Nëse rasti kalon pa përgjegjësi, institucionet janë spektatore të krimit

“Urgjent të dalim në protestë”, Bajrami pas vrasjes tragjike të gruas në Pejë

“Urgjent të dalim në protestë”, Bajrami pas vrasjes tragjike të gruas në Pejë

“Më arrestoni,…”: Pasi Vuçiq pranoi humbjen, Brnabiq u përfshi në një përplasje verbale me qytetarët, në mes të rrugës

“Më arrestoni,…”: Pasi Vuçiq pranoi humbjen, Brnabiq u përfshi në një përplasje verbale me qytetarët, në mes të rrugës