Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, me inicialet I.R., A.R. dhe B.R., lidhur me sulmin ndaj ekipit të emisionit Kiks Kosova.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit dyshohen për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor”, “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “Manipulimi me prova”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 7 tetor 2026, rreth orës 11:40, në lagjen “Vanesa Residence”, në rrugën “Hamit Rexhepi” në Ferizaj, ku ekipi gazetaresk kishte shkuar për të realizuar një storie lidhur me një kontest pronësor.
Prokuroria pretendon se të pandehurit, në bashkëkryerje, ua kanë bllokuar rrugën gazetarëve me dy vetura dhe më pas kanë dalë nga automjetet, ua kanë hapur dyert dhe i kanë sulmuar fizikisht, duke i goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit.
Si pasojë e sulmit, tre anëtarët e ekipit gazetaresk kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Sipas ekspertizës mjekoligjore të datës 16 tetor 2026, ata kanë pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Përveç kësaj, sipas aktakuzës, i pandehuri I.R. dyshohet se ia ka marrë kamerën njërit prej gazetarëve dhe e ka përplasur për tokë, duke e bërë atë jofunksionale. Më pas, kamera është dorëzuar në Stacionin Policor në Ferizaj.
I njëjti person dyshohet edhe për manipulim me prova, pasi, sipas Prokurorisë, ka hequr pajisjen DVR të kamerave të sigurisë që mbulonin lagjen, përfshirë vendin ku kishte ndodhur incidenti, transmeton Klankosova.tv.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit për veprat penale që u vihen në barrë.




